E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, morën peng shokun, gjykata nxjerr të lirë 2 të akuzuarit

TIRANE- Gjykata e Tiranës dënon me kusht dy nga të rinjtë, të cilët morën peng dhe torturuan për disa ditë me radhe mikun e tyre, Fatjon Xh, për një borxh të pashlyer. Artur Kolpepaj u dënua me 3 vite burg për akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë dhe vetëgjyqësisë në bashkëpunim. Gjykata vendosi ta lirojë me kusht të pandehurin, duke e detyruar të përmbushë si detyrim ushtrimin e një veprimtarie profesionale. Teksa firmos lirimin e këtij të pandehuri, gjykata arsyeton se jo vetëm që ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendesë të thellë, por nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, edhe pse në fakt, akuza që i rëndon mbi supe këtij të pandehuri është e rëndë. Me të njëjtat argumente, gjykata ka liruar nga vuajtja e mëtejshme e dënimit prej 2.4 vite burg, edhe të pandehurin Bledar Vata. Në ndryshim nga Kolpepaj, ky i fundit, nuk ka pranuar akuzën dhe është shprehur se nuk ka aspak lidhje me mbajtjen peng dhe torturimin e Fatjon Xh. I vetmi nga të pandehurit që do të qëndrojë në qeli, është Martin Kshtenjari, i cili do të vuajë plot 4 vite burg. Vendimi i Gjykatës së Tiranës është apeluar menjëherë nga prokuroria, e cila e kundërshton ashpër atë, duke argumentuar mes të tjerash, se vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit është e rëndë dhe të dy të liruarit paraqesin rrezikshmëri. 

PENGMARRJA 
Mëngjesin e 5 marsit 2013, Fatjon Xh., është nisur nga Librazhdi drejt Tiranës, me qëllim për të gjetur një punë. Po këtë ditë, pak orë më vonë ka marrë në telefon të atin dhe i ka thënë që ishte marrë peng nga disa shokë, pasi u detyrohej një shumë 86000 lekësh, të cilat duhet tua kthente brenda tre ditësh, në të kundërt nuk dinte se çfarë mund t’i bënin. I ati i Fatjonit ka folur me një prej personave që e mbanin peng të birin, i cili i ka kërcënuar me vrasjen e të birit nëse nuk i sillte lekët. Burri ka mundur të sigurojë një shumë prej 20000 mijë lekësh, por sërish pengmarrësit, kanë kërcënuar me vrasjen e Fatjonit nëse nuk sillte të gjitha paratë. Në këto kushte, I.Xh, ka bërë denoncim dhe duke ndjekur këshillat e policisë ka lënë takim me pengmarrësit e të birit tek Stacioni i Trenit. Në momentin që do bëhej dorëzimi i parave, policia ka ndërhyrë duke arrestuar dy prej të rinjve, konkretisht Artur Kolpepaj dhe Martin Kshtenjari. Pengu Fatjon Xh, është gjetur në një lokal në rrugën e Barrikadave Tiranë, i mbyllur në një depo pas banakut. Fatjoni ishte dhunuar fizikisht dhe tejet i frikësuar. Nga hetimi ka rezultuar se Fatjon Xh., njihej prej disa kohesh me Artur Kolpepajn dhe shumën prej 86000 lekesh, ata e kishin shpenzuar për disa ditë, një javë përpara ngjarjes, teksa kishin ndërmarrë një udhëtim. 

VENDIMI I GJYKATËS 
Gjykata e Tiranës pasi shqyrtoi dosjen vendosi të cilësojë fajtor tre të pandehurit dhe dy prej tyre t’i lirojë me kusht. Para gjykatës, Artur Kolpepaj e ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendesë të thellë. Mesa duket, kaq ka shërbyer që gjykata ta lirojë me kusht dhe ta detyrojë të kryejë një veprimtari profesionale. Bledar Vata nuk e ka pranuar akuzën dhe është shprehur se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje. Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata argumentin se edhe pse Bledar Vata nuk ka ushtruar dhunë direkte ndaj personit të mbajtur peng, ka qenë bashkëpunëtor dhe ka luajtur rolin e ndihmësit në ngjarje. Konkretisht ai ruante pengun. Për dy të pandehurit Artur Kolpepaj dhe Bledar Vata, gjykata vendos lirimin me kusht duke marrë parasysh personalitetin e tyre, rrezikshmërinë sipas saj të ulët shoqërore që paraqesin, moshën e tyre, mënyrën e jetesës dhe faktorë të tjerë. Sa i përket të pandehurit Martin Kshtenjari, gjykata thekson se ai paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, shkallën e fajit, si dhe rolin e tij tejet aktiv në kryerjen e veprës penale.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›