E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Asfaltim 7 mijë km rrugë dhe ecje e shpejtë drejt BE-së



Asfaltim të 7 mijë kilometrave rrugë e autostrada në mbarë vendin si dhe ecje me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian. Nuk është thjesht një ambicie, por premtim i Kryeministrit Sali Berisha gjatë mandatit të ri qeverisës nga ku synon reforma të rëndësishme për integrimin e vendit, që nisin me vizat dhe mbyllen me anëtarësimin në BE. Por dje, Kryeministri Berisha u ndal tek ato pikësynimet e qeverisë që kanë të bëjnë me dyfishimin e prodhimit bujqësor në vend dhe rritjen e cilësisë në universitetet tona. Gjatë vizitës në Universitetin Bujqësor të Tiranës, z. Berisha siguroi: “Gjatë këtyre katër viteve do të asfaltojmë shtatë mijë kilometra rrugë të tjera dhe autostrada dhe do të ndërtojmë në çdo fshat të vendit infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit. Ne, - shtoi ai, - do të liberalizojmë vizat dhe do të ecim me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian”. Z. Berisha shprehu dhe angazhimin e qeverisë për trefishimin e numrit të studentëve brenda vitit 2013, teksa garantoi studentët se do të mbështesë fuqishëm veprimtarinë e tyre kërkimore-shkencore dhe po kështu të universiteteve të vendit. Kreu i qeverisë njoftoi se MASH po merret shumë seriozisht me angazhimin e kompanive më të mira për hetimin e universiteteve, për hetimin e fakulteteve. Më tej, z. Berisha u ndal tek problemi i certifikimit të prodhimeve bujqësore, teksa premtoi dyfishim të tyre. “Qeveria do t’ju mbështesë ju në të gjitha përpjekjet për të ngritur rrjetin e fuqishëm të certifikimit, publik apo privat qoftë. Ne duhet t’u ofrojmë fermerëve tanë mundësinë e certifikimit, për ndryshe ata do ta kenë shumë të vështirë që të konkurrojnë në një Evropë me subvencione gjigande në fushën e bujqësisë”, - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri garantoi se arsimi universitar në përgjithësi është përparësi madhore konstante e qeverisë. Sipas tij, fakti se këtë vit akademik në auditorët e universiteteve ulen për herë të parë 30 mijë vajza dhe djem të rinj, dëshmon një zhvillim madhor në të ardhmen e vendit. Berisha evidentoi faktin se Shqipëria ka kapur standardin evropian 39-40%, “por, - tha ai, - ne do të bëjmë të mundur që të gjitha zonat e vendit të arrijnë të njëjtin standard, sikurse Gjirokastra që ka 60% të rekrutimit të studentëve nga shkollat e mesme në fakultete”. Kryeministri Berisha shprehu bindjen se shtrirja e arsimit të lartë është jetike për vendin. "Ky sistem duhet të dilte nga kufizimet e paarsyeshme, ndaj dhe hapja e dyerve ishte një praktikë pozitive, ashtu sikurse dhe inkurajimi i investimeve private, pasi mobilizon fonde nga sektori privat që është më i pasur sesa sektori publik". Kryeministri përuroi dje dhe nisjen e punimeve për ndërtimin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në ambientet e UBT-së, një investim prej 2 milionë euro. Universiteti Bujqësor i Kamzës përbëhet nga 5 fakultete të rëndësishme dhe në të mësojnë rreth 8500 studentë të të gjitha cikleve mësimore. Ky universitet ka një numër punonjësish prej 504 vetësh, nga të cilët 250 janë staf akademik. Universiteti Bujqësor i Kamzës mbështet gjithashtu të gjitha iniciativat e qeverisë në fushën e bujqësisë dhe ushqimit. Krerët e shtetit angazhohen në ambientet e universiteteve publike në Tiranë në ditën e parë të vitit të ri akademik. Presidenti Topi, kryetarja e Kuvendit Topalli dhe Kryeministri Berisha përcollën urimet dhe premtimet për studentët e këtyre institucioneve. Presidenti Bamir Topi ishte i pranishëm në një ceremoni festive të organizuar nga Akademia e Arteve të cilën edhe e dekoroi. Para një auditori të madh, studentë, pedagogë, artistë, Presidenti Topi përcolli mesazhin se duke përafruar dhe kurrikulat me ato të universiteteve evropiane, ky është një hap tjetër, krahas atyre që po bën qeveria dhe strukturat e tjera, për integrimin e vendit në BE. Topalli ishte në Fakultetin Ekonomik, kurse Kryeministri Berisha premtoi gjatë vizitës në Universitetin Bujqësor të Kamzës se qeveria shqiptare do të mbështesë veprimtarinë kërkimore dhe shkencore në Universitetin Bujqësor të Kamzës, në Tiranë, për të bërë të mundur dyfishimin e prodhimit bujqësor në vend

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›