E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në komision për makinat e funksionarëve: Ligji lë mundësi për abuzime

TIRANË - Është shoqëruar me debate shqyrtimi i ligjit "Për Rregullimin e Transportit të funksionarëve të Lartë", sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili nuk u arrit të miratohej. Disa prej deputetëve kanë kundërshtuar nene të veçanta të ligjit. Shrefedin Shehu tha se "duhet përcaktuar qartë se cilët janë kategoritë e funksionarëve që marrin makinë dhe cilët marrin bonuse, duke sjellë në vëmendje shembullin e zv.ministrave. "Është më mirë që kësaj kategorie ti lihet makina e shtetit në përdorim se sa bonusi, pasi si do që të jetë zv.ministrit s'do ti ndalohet përdorimi i makinës nga institucioni dhe kështu do ti përfitojë të dyja", tha Shehu, i cili ka qenë vetë zv.ministër i Financave. Faktet e sjella nga Shehu kanë hasur në kundërshtinë e kreut të këtij komisioni, Spartak Braho.

Po kështu është kundërshtuar edhe neni 3, në pikën që thotë se funksionarët e lartë duhet të përdorin makinën e punës në fundjavë kundrejt një pagese prej 50 mijë lekësh në vit. "Kjo pagesë është absurde dhe e papërfillshme thanë deputetët e komisionit ndaj propozuan të hiqet. Pra Presidenti, Kryeministri dhe Kreu i Kuvendit, do ti përdorin makinat lirisht sa herë të duan të kohë pune dhe pushimi. Për pikat e debatuara u vendos që ti kthehen edhe një herë Këshillit të Ministrave për saktësim.

Me anë të ligjit të ri iu hiqen makinat deputetëve dhe disa drejtorëve. Ata do të kenë bonuse që variojnë nga 150-450 mijë lekë në muaj. Ky shërbim do të kryhet me mjetet ne përdorim të institucionit, të cilat përdoren, në çdo rast, vetëm me autorizim apo urdhër të titullarit, për shërbime, sipas një programi të miratuar prej tij.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›