E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, policia në aksion për parkingjet e paligjshme

Bashkia e Tiranës bëri të ditur se aksioni do të zgjasë tre ditë dhe të gjithë hapësirat që mbahen të bllokuara nga subjektet në mënyrë të paligjshme, do të lirohen.

Aksioni është shtrirë njëkohësisht, në të gjithë rrugët e Tiranës. Inspektorët në terren kanë vënë re se hapësirat mbahen të bllokuara në mënyrë të paligjshme, pasi subjektet nuk paguajnë taksa në Bashki, për vendparkimet që zënë. Një javë më parë, të gjithë subjekteve që kanë zënë pjesë të rrugëve, u është kërkuar dokumentacioni përkatës ku të vërtetohet leja që ata kanë dhe taksat që paguajnë për hapësirën që zënë.

Në shumicën e rasteve, subjektet nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacion dhe në rastet kur kanë paraqitur, dokumentacioni ka qenë i mangët. Pasi ka kaluar ky afat, sot kanë ndërhyrë në terren inspektorët e Policisë Bashkiake dhe të Tatimeve të Tiranës. Në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura, nga bizneset ngjitur dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë, për shkak të pamundësisë për të parkuar.

Në pjesën më të madhe të rasteve, rezulton se subjektet që zënë hapësirat, nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë taksohen për një vendparkimi, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende.

Aksioni do të vazhdojë për tre ditë me radhë, deri në çlirimin e këtyre hapësirave, ose në shfrytëzimin e tyre konform ligjeve në fuqi. Ky rregullim do të shërbejë për qytetarët, pasi do të krijojë më shumë mundësi parkimi për ata që qarkullojnë me makinë, duke ndikuar në lehtësimin e trafikut në Tiranë./Start/

                                                                                             2011-08-16 13:34
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›