E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, pranga 28-vjeçarit, ndiqte dhe kërcënonte 24-vjeçaren

TIRANE- Do të vras veten...do të vras edhe ty, nëse nuk lidhemi bashkë...”. Këto janë fjalët me të cilat 28- vjeçari, E.Oseku përndiqte 24-vjeçaren Aurora B. në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë me dije se dy të rinjtë kishin dalë disa herë për kafe me njëri-tjetrin, por vajza nuk kishte pranuar që të dilte më tej me 28-vjeçarin, pasi kishte nisur të dyshonte se ai ishte i lidhur me një vajzë tjetër.

Forcat e policisë sqarojnë se pas kësaj vajza nuk ka pranuar të dalë më me të riun, por ky i fundit nuk e ka lënë më të qetë. Blutë e kryeqytetit theksojnë se 28-vjeçari prej afro një jave e përndiqte 24-vjeçaren kudo që ajo shkonte, duke e bezdisur edhe në telefon me mesazhe ku i bënte presion për t`u lidhur me atë, ose në të kundërt do të vriste veten. 

Pas kësaj, 24-vjeçarja ka bërë denoncimin pranë Komisariatit Nr.3 në kryeqytet, të cilët ditën e djeshme kanë vënë në pranga 28-vjeçarin. Ndërkohë, dy ditë më parë nga strukturat e antidrogës të policisë së kryeqytetit bënë të mundur kapjen e 23-vjeçarit, Elidon Jaçe, i kërkuar për një plagosje në qytetin e Vlorës, si dhe i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›