E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, pranga 3 zyrtarëve bashkiakë akuzohen për mitmarrje

TIRANE-  Policia e Shtetit ka arrestuar mbrëmë dy inspektorë të Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë, një polic bashkiak dhe një shtetas tjetër i akuzuar për korrupsion pasiv.

Katër të arrestuarit janë përgjuar tek po negocionin për rryshfet për një lejimin e vazhdimit të një ndërtimi pa leje. Tre zyrtarët bashkiakë në pranga janë Ylli Bala, Adem Cemurati, të dy inspektorë ndërtimi, Agustin Lekgegaj, polic bashkiak si dhe shtetasi Simon Braholli, i cili luante rolin e sekserit, informon NEWS24.

Burime të policisë thanë se arrestimi i 4 personave është bërë në akuzën e mitmarrjes, kryer në bashkëpunim dhe shpërdorim të detyrës, mbi afera që lidhen me ndërtimet pa leje. Sipas NEWS24 arrestimi i tyre është kryer në flagrancë teksa zyrtarët bashkiakë po merrnin ryshfetin nga sekseri Simon Braholli për një ndërtim të paligjshëm. Arrestimi i tyre vjen pas 2 muajsh hetime nga Task Forcë, sektori i Krimit Ekonomik.

Arrestimi i tre zyrtarëve të bashkisë nga policia e Shtetit vjen vetëm 7 javë nga zgjedhjet e pushtetit vendor. Ky veprim pritet ta tensionojë edhe situatën politike ndërkohë që ministria e Brendshme drejtohet nga kandidati i PD-së, për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha dhe të arrestuarit janë vartës të Edi Ramës, aktualisht kryetar bashkie i cili pritet të rikandidojë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›