E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli në Kuvend: T’i thyejmë barrierat me bashkëpunim

TIRANE- Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli vizitën e tij të parë zyrtare jashtë shtetit e zhvilloi në kryeqytetin shqiptar. Takimin e parë e zhvilloi me kreu e shtetit shqiptar Bamir Topi, ndërsa rreth orës 16:30 mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Pacolli u takua me Kreun e PS, Edi Rama, të cilin e vlërësoi si një takim me një mik të vjetër, nërsa nuk nguroi të uronte që kryebashkiaku Rama ti sjellë më shumë mbarësi Tiranës. Pacolli takon Berishën e Topallin. Berisha- Pacolli: Vullnet për ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore që do të lidhin dy vendet.

Rama i dorëzon Pacollit celësin e Tiranës
Pas fjalës së tij para deputeteve në Kuvendin e Shqipërisë presidenti i Kosovës Behxhet Pacolli ka takuar kreun e PS njëherazi kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.
Takimi i tyre është bërë në Bashkinë e Tiranës ku kryebashkiaku i ka dhuruar kreut të shtetit kosovar edhe celësin e Tiranës.

Pacolli takon Berishën dhe Topallin
Ndërkohe gjatë ditës së sotme presidenti kosovar Behxhet Pacolli është takuar edhe me kryemistrin Berisha dhe kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli.
Në takim me Berishën u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore, të gjithanshme, midis dy vendeve e popujve dhe angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar bashkëpunimin më të ngushtë e të shkëlqyer në të ardhmen, duke e shndërruar kështu faktorin shqiptar në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Pacolli vlerësuan se bashkëpunimi është në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, paqes, stabilitetit e miqësisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, si dhe ecjes përpara me shpejtësi drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian dhe në komunitetin euroatlantik.

Në këtë kontekst, ata rikonfirmuan vullnetin për ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore që do të lidhin dy vendet dhe do të forcojnë shkëmbimet midis qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, përfundimin e rrugës së kombit dhe akset e tjera rrugore që lidhin dy vendet, nevojën për lidhje hekurudhore, si dhe fillimin e punimeve brenda këtij viti të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë - Prishtinë. Ndërkohe presidenti kosovar ka takuar sot dhe kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli

Pacolli në Kuvend
Presidenti i Republikës së Kosovës Behxhet Pacolli, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri pas marrjes së postit të kreut të Shtetit Kosovar, mban një fjalim nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Me shprehjet vëllezër shqiptarë, Shqipëria ime, Shqipëria amë, Presidenti i Kosovës iu drejtua të gjithë shqiptarëve ndërsa u shpreh se mes dy trojeve shqiptare nuk duhet të egzistojnë barriera. “I nisa vizitat nga Shqipëria ime, nga Shqipëria amë. Fjala nuk ka qënë pika ime e fortë, të dashur vallëzërit e Shqipërisë por vij në Tiranë për të parën vizitë si President i Kosovës, prandaj do doja të mos keqkuptonit luhatjet e zërit tim”,- nisi Pacolli fjalimin e tij.

Duke falenderuar presidentin Topi për ftesën, Pacolli rikonfimoi edhe njëherë dëshirën e tij për thellimin e marrëdhënieve, midis dy trojeve shqiptare. “Me vlerat e së kaluarës do ndërtojmë të ardhmen, nuk duhet të kënaqemi me arritjet e deritanishme në ekomomi e kulturë. Ti jepim vlera përpjekeve shekullore të intelektualëve”,- tha Pacolli.

Pacolli tha më tej se mes dy vendeve në të ardhmen duhen thyer të gjitha barrierat, deri në arritjen e një unifikimi në ligje, kufinj, kulturë, ose sic e quajti Pacolli një bashkim kombëtar sipas rekomandimeve europiane.

"E ardhmja jonë është bashkimi ynë kombëtar, por jo në atë mënyrë destruktive si mund ta mendojë dikush. Bashkimi ynë kombëtar është sipas rekomandimeve të Bashkësisë Europiane. Ne do t'i thyejmë barrierat kufitare jo me dhunë, por me dashuri", nënvizoi Presidenti i Kosovës.

Ai kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të jetësojnë realisht ndërtimin e burimeve të reja energjetike, atyre hidrike dhe të qymyrit, duke ndërtuar një sistem energjetik të përbashkët në mënyrë që dy vendet të bëhen prodhuese të rëndësishme në energjetikë."Duhet unifikimi i legjislacionit, komunikacionit dhe dokumentacionit gjyqësor dhe të bizneseve, lëvizje e lirë dhe e ideve, diturisë dhe kapitalit, standardizimi i dijes, teksteve të reja shkollore dhe gjuhës akademike", theksoi ai.

Takimi Pacolli-Topi
Sipas axhendës zyrtare Pacolli u prit sot në një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Bamir Topi, në kuadër të vizitës së parë shtetërore të tij në Shqipëri. Më tej, dy Presidentët dhane një konferencë të përbashkët për shtyp për përfaqësuesit e mediave. 
Presidenti Behxhet Pacolli propozoi sot një nismë në Tiranë sipas të cilës dy shtetet Kosova dhe Shqipëria do të përfitonin shumë si në aspektin ekonomik, por dhe në atë të integrimit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentit Bamir Topi, Pacolli theksoi se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri nuk duhet të plotësohet edhe më shumë, sidomos lëvizjes së lirë të mallrave dhe ligjet që asistojnë në këtë pikë.
“Ajo rrugë që më parë u nevojiteshin qytetarëve tani 10 orë, Rruga e Kombit sot bëhet për 3 orë. Por, ajo nuk është e përplotë, e karikuar sa duhet me lëvizje të mallrave dhe njerëzve. Ne do e bëjmë këtë për të formuar një treg të përbashkët. Por, kjo bëhet nëse ne që tani do heqim tarifat doganore që përcjellësit e këtyre mallrave të kenë licensa të unifikuara. Të bëjmë ligje të njëjta, standarte të njëjta dhe kjo do na cojë drejt integrimit në BE. Ne me këtë nuk do lëndojmë askënd, do respektojmë normat me komunitetet e tjera”.
Sipas Pacollit, kjo ide dhe nismë e tij, duhet të realizohet sa më shpejt pasi nuk ka më kohë për Kosovën.
“Lëvizja e lirë, kjo është ide e imja dhe pres shumë të realizohet dhe kështu ne do integrohemi në rajon që në të ardhmen të integrohemi dhe në BE. Forumet që përmenda, ne do të insistojmë që ne të kemi një axhendë, dhe unë jam shumë i bindur se do kem sukses me këtë ide, do bisedojmë për tarifat doganore që ato të mos ekzistojnë, që të jenë veprimtari plotësuese, që ajo që është në Kosovë dhe jo në Shqipëri të sillet këtu dhe ansjelltas, si psh, patatet, rrushi jonë qe shkojne kudo ne rajon te jene dhe ne tregun shqiptar. Por jo vetëm kaq dhe lëvizje të lira të ideve, unifikimin e teksteve shkollore, këto forume të ndodhin se ne duhet t’ja fillojmë tani, jemi me vonesë”.

Presidenti Bamir Topi nga ana e tij theksoi se biseda mes dy presidentëve ishin pikërisht pikat sesi dy vendet të rritin dimensionin e komunikimit mes tyre, por edhe tema të ndjeshme, sic janë problemet me tekstet.
“Lindin probleme për përsosjen e teksteve që kanë të bëjnë me dimensionin e arsimit, për të rritur standartin e arsimit. Diskutova me presidentin që Rruga e Kombit, një element ifrastrukturor tej i rëndësishëm të shfrytëzohet me mirë për lëvijzjen e mallrave me një element shumë simbolik. Pacolli e konsideroi rrugën dhe si shkëmbim të ideve, mundësi e madhe për të komunikuar për intetresat tona politike, personale, ekonomike, ku dimensioni i lirisë të jetë i shprehur në mënyrë të vecantë”.

Topi theksoi se edhe pse pati një gëzim shumë të madh kur Shqipëria mori përgjigjen për lëvizjen e lirë në vendet e BE, por një brengë të madhe për Kosovën. Presidenti i Shqiperise garantoi se Shqipëria në cdo tryezë do insistojë në këtë pikë për Kosovën.
“I thashë presidentit se ne patëm një gëzim të madh, kur shqiptarët morën të drejtën për të lëvizur të lirë, dhe brengën time që kjo mundësi nuk u realizua për Kosovë. Në të gjitha tryezat ku do jemi të ftuar do diskutojmë që kjo të bëhet e mundur për kosovarët të cilët nuk duhet të mbesin të izoluar, kjo të bëhet e vlefshme dhe për Kosovën”.
Në këtë pikë Topi përmendi tryezat rajonale, ku vlerësoi se së shpejti nëj e tillë do shtrohet në Ohër nga Presidenti Ivanov.
Topi theksoi se të Shqiperia do të bënë të mundur të krijohet një reputacion i ri dhe Kosova të njihet nga sa më shumë shtete.

Bisedimet Kosove-Serbi
Një pikë tjetër delikate dhe aktuale në Kosovë, ka qënë dhe ajo për bisedimet me Serbinë, ku shumë janë shprehur skeptikë. Pacolli sot garantoi se bisedimet mes dy vendeve do jene vetëm në nivel teknik dhe kurrë të debatohet cështja e pavarësisë apo territoreve.
“Kosova hyn në një fazë tjetër, ka nisur bisedimet me Serbinë, për ardhmërinë politike të Kosovës. Nuk mund të ketë Kosova 66% të kufijve të blinduar, nuk mund të vuajë nga bandat kriminale dhe sot Kosova ka nevojë për bisedime me fqiun tonë se humbësi më i madh ka qënë Kosova. Serbët morën cdo gjë me vete, shkatërruan fabrikat tona, lekët tona, pensionet tona. Dhe llogaritë tona nuk mund të kërkohen në kohë paqeje me dhunë, por me biseda. Nuk do ndalemi së biseduari!”, tha Pacolli duke shtuar ser “është e mbrapshtë ideja kur nuk bisedohet, kemi shumë gjëra për të biseduar, garantoj se kurrë nuk do të bisedohet për statusin tonë, integritetin tonë, asnjëherë nuk do bisedohet për kufijtë tonë cdo gjë tjetër do të jetë e nevojshme, por jam I bindur se bisedat do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.

Edhe Presidenti Topi nga ana e tij ndau të njëjtin qëndrim. Në fjalën e tij Topi tha se “Shqiperia e konsideron humë të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal dhe me vende si Serbia, edhe pse me këtë shtet na ndan një gjë shumë e madhe që ka të bëjë me Kosovën, në kontekstet europiane nuk do të thotë të mos kemi një bashkëpunim. Jam I bindur që dhe bisedimet që egzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë, bëhen në këëtë kontekst respekt për këto bisedim”. 

Zgjedhja e Presidentit me referendum? Pacolli: Garanci që Po
Ndërsa zgjedhja e Behxhet Pacollit në Kosovës solli shumë polemika, një pyetje për mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit iu bë sot të dy Presidentëve, ku ideja ishte dhe ajo për zgjedhjen me referendum nga populli. Pacolli nuk përjashton se në një mandate të ardhshëm do të rikandidohet si President.
“Javën e kaluar kam nisur bisedime me njerëz që janë njohës të mirë të kushtetutës dhe ju garantoj se do promovoj me gjithë fuqinë institucionale që më lejon Kushtetuta në atë pikë ku flitet për zgjedhjen e Presidentit dhe presidenti të zgjidhet nga qytetarët, vetëm atëherë do jem një president legjitim nga qytetarët dhe personalisht të mos e kontestojnë.
E pranoj jam ndier jokomod, unë do jem promovues i madh i ndërrimit të kësaj pike dhe besoj se do rikandidohem për President të Kosovës.
Kurse kreu i shtetit Bamir Topi theksoi se si qytetar do ishte pro referendumit nga populli, kurse si President, kjo cështje tha ai I takon Parlamentit për diskutim.
“Mendoj se në kontekstin konstitucional ka rrugë të ndryshme, por besoj se është politika parlamentare ajo që ka patur shancin dhe atributet që nëse e sheh të arsyeshme mund të bëjë ndryshime. Si qytetar jam I parimit që presidenti të zgjidhet nga populli, jo se rruga në parlament nuk konsiderohet legjitime, por nuk më takon mua të jap orientime për politikën, por si qytetar mbetet opsioni që si qytetar kur ti hedh një opsion, kjo duhet matrrë në shqyrtim”.

Gjatë vizitës së tij Presidenti i Republikës së Kosovës, Pacolli do të zhvillojë takime të veçanta me personalitete të larta të shtetit dhe të politikës shqiptare. 

Presidenti Pacolli do të ketë takime të veçanta edhe me kryeministrin Sali Berisha si dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë vizitës së tij ai do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse parlamentit shqiptar. Presidenti i Kosovës do të takohet dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili do t’i dhurojë “Çelësin e Qytetit”.

Në ditën e dytë të vizitës së tij (22 mars) në Shqipëri, presidenti Pacolli do të takohet me kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pas ceremonisë së vendosjes së kurorës për nder të të rënëve në Monumentin “Nënë Shqipëri”, presidenti i Kosovës do të jetë i pranishëm në Universitetin Europian të Tiranës ku do t’i dorëzohet çmimi “Honoris Causa”.

Axhenda e tij vijon me pjesëmarrjen në punimet e Forumit të Biznesit Shqipëri-Kosovë, për t’u pasuar nga një vizitë në qytetin e Krujës ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër. Gjithashtu, presidenti Pacolli do të vendosë dhe një kurorë në “Varrin e Skënderbeut” në qytetin e Lezhës.

(d.b/m.a/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Pacolli: Komplimente Ramës për punën në Tiranë VIDEO: Tiranë, Pacolli: Kosovë-Shqipëri, të unifikojnë ligjet, tregun VIDEO: Pacolli në Kuvend: T’i thyejmë barrierat me bashkëpunim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›