E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clooney & Canalis

Ish-velina rrëfen lidhjen me aktorin Për herë të parë, mbretëresha e velinave italiane dhe e dashura e fundit e aktorit amerikan, George Clooney, rrëfen lidhjen e shumëpërfolur me divin e kinemasë

I pëlqen gjithçka që ka të bëjë me Amerikën, përveç ajrit të kondicionuar. “Këtu e përdorin nga të katër anët, por kush hipën në makinë me mua, është i paralajmëruar se do të marrë frymë vetëm përmes dritareve”, thotë Elisabetta Canalis, e cila vazhdon aventurën amerikane ndërsa momentalisht është duke xhiruar në një serial televiziv, në të cilin ka rolin e një agjenteje sekrete me trup atletik, me emrin e koduar “italiania”. është e lumtur që po interpreton në anglisht, edhe pse këtë herë bëhet fjalë për një rol shumë episodik, por në të ardhmen shpreson për më shumë.
Për ata që kanë memorie të mirë, Canalis e nisi karrierën si velinë në emisionin e përditshëm: “Striscia la notizia” . Tashmë 31 vjeçe ka kaluar disa përvoja në televizion përfshi reklamat, ka një shoqëri të kuotuar në bursë dhe më në fund po përjeton në mënyrën më të mirë të mundshme ëndrrën amerikane. Që kur është bërë e dashura e George Clooney-t, beqarit të beqarëve, është në faqet e gazetave italiane një ditë po e një ditë jo. “Në fakt, unë nuk flas fare. Ka një vit që nuk kam dhënë asnjë intervistë për median, por janë gazetat dhe revistat që duan të dinë gjithçka dhe shpesh shkruajnë gjëra të paqena”, thotë Canalis. Kur flet për të dashurin e saj, nuk ia zë emrin me gojë, por e quan “ai”. “Falë tij kam gjetur qetësinë. Kam sakrifikuar shumë gjëra për punën dhe më në fund dua që të merrem pak me veten”

Ta thuash këtë frazë në moshën 31-vjeçare të bën përshtypje. Përse vallë puna ka kaluar për ty në plan të dytë në një moshë kaq të re?

Nuk kam pasur kurrë më parë propozime dhe oferta pune të ngjashme me ato që po marr tani, por sot po përjetoj edhe një paqe dhe qetësi që nuk e kam pasur më parë dhe kam luksin që të mos i marr vendimet duke nxituar dhe me ankth. Më në fund mund të marr frymë.

Qetësia vjen nga fakti se jeni përkrah Clooney-t?

Vjen nga gjërat e bukura që kanë hyrë në jetën time dhe ai është një prej tyre.

Keni pasur një tatuazh në të cilin shkruhej: “Dhimbja është dashuri”. është zhdukur?

Brenda meje ka pasur një ndryshim shumë të madh dhe kjo falë njeriut me të cilin ndaj jetën. Më ka bërë të ndihem më shumë grua, më e sigurt dhe kjo nga shumë këndvështrime. Kur je vetëm mendon se je e pamposhtur, por kur je e dashuruar ajo që ndjen është dëshira e vazhdueshme për t’u përmirësuar.

Më parë keni thënë se i trembnit meshkujt, sepse silleshit si ata?

Jam ende ashtu, siç thonë në Amerikë, jam një “tomboy”, një djalë harrakat.

Dikur citonit Meryl Streep në filmin “Djalli vishet me Prada”: “Kur je në pikën më të lartë të suksesit në një punë do të thotë se jeta private nuk ekziston”. Sot që je në Hollivud dhe je e fejuar, këtë frazë do ta kesh vënë në arkiv…

Po, po por është një frazë e vërtetë…

Për historinë tënde me Clooney-n kanë shkruar gjëra jo fort të mira, përfshi edhe faktin se kjo është një histori false dhe ju keni në kontratë me njëri-tjetrin.

Që nga dita e parë kur filloi historia jonë, i kam lënë pas shpine të gjitha fjalët e këqija. Nuk kam aspak ndërmend që të dëgjoj ato që thuhen dhe ato që shkruhen. Nëse nuk do ta bëja një gjë të tillë, nuk do të isha në gjendje që të jetoja dhe përjetoja historinë time dhe momentin në të cilin ndodhem. Jam e qetë dhe shoh veçse përpara.

Por, a e keni pyetur veten se përse janë shkruar gjithë ata artikuj negativë?

Sigurisht për shkak të zilisë. E çfarë tjetër mund të ketë më të keqe tek njerëzit për t’i bërë ata të flasin keq dhe ta bëjnë të qenën të paqenë. Edhe vetë drejtorët e gazetave janë marrë personalisht me historinë time. Kjo ndoshta sepse nuk kam preferuar kurrë që të flas për Clooney-n. Kam mësuar se jeta personale është dhe duhet të mbetet e tillë.

Po, por ju keni folur shumë më parë për të dashurit tuaj dhe jetën që keni pasur me ta, për Rexhinaldon, për Vierin…

Pikërisht. E kam mësuar mësimin tim. Tani nuk flas dhe kjo ka bërë që gazetat të shpikin gjëra. Jam me fat që kam përkrah një njeri inteligjent, i cili di të gjejë fjalën e duhur për të më ngushëlluar kur unë trishtohem. Për mua gjëja më e rëndësishme është siguria që ai më jep.

Po familja juaj si ka reaguar?

Prindërit e mi janë i vetmi shqetësim që kam kur dalin në shtyp sajesa të turpshme. Sa për mua, nuk më intereson fare se çfarë mund të shkruhet. Por prindërit janë sigurisht të prekshëm, nuk i njohin këto mekanizma dhe mbeten keq. Një ditë, mamaja ime më mori në telefon e tronditur dhe më tha se kishte shkuar që të blinte mish, kur vuri re dy kameramanë dhe një gazetare që po i shkonte nga pas për ta intervistuar. Unë pyes se a është logjike që të ndiqet një grua 60-vjeçare që shkon për të bërë pazar?

Kanë shkruar se ziheshit me Clooney-n për pokerin?

Kjo është për të qeshur. Asnjë nga miqtë tanë nuk luan poker. Por ne kemi mohuar vetëm gënjeshtrat e mëdha të tipit: ai e la të mbytur në lot...

Si e imagjinonit jetën tuaj?

Gjithmonë e kam ditur se do të ishte e mrekullueshme. E kam ëndërruar pak a shumë kështu siç e kam. Energjia pozitive bën që të të ndodhin gjëra të bukura.

Por jo gjithmonë është kështu?

Unë besoj në një gjë të tillë. Secili është arkitekt i fatit të tij.

Përvoja në Amerikë në fushën e xhirimit bën pjesë në energjinë pozitive?

Po. është një sfidë. Në këtë film recitoj në anglisht dhe nuk është e lehtë, sepse edhe nëse e flet mirë gjuhën, duhet që t’i japësh ngjyrim emocional.

Ndiheni amerikane?

Jo. Sipas meje është bukur të jetosh në Amerikë, sepse është një vend i hapur dhe me tradita, ndryshe nga Italia. Por Amerika më ka pëlqyer gjithnjë që nga udhëtimet e para që kam bërë me babain. Të jep idenë e një lirie të madhe.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›