E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirane, sot shpallet projekti fitues per Xhamine

TIRANE-Pikërisht sot do të përzgjidhet projekti fitues për xhaminë e re dhe muzeun e bashkëjetesës fetare për Tiranën. Në garë janë pesë studio, të cilat kanë kaluar në këtë fazë të dytë të konkursit ndërkombëtar të shpallur nga Bashkia e Tiranës. Studiot që janë pjesëmarrëse në këtë garë janë: Andreas Perea Ortega - Madrid, Spanjë; Architecture Studio - Paris, Francë; BIG - Kopenhagen, Danimarkë; Search - Amsterdam, Holandë; Zaha Hadid Architects - Londër, Britani e Madhe. Secila prej këtyre studiove që kanë kaluar në fazën e dytë do të paguhen me nga 45 mijë euro, fond ky që është dhënë nga qeveria e Kuvajtit.
Konkursi
Sot në 1 Maj finalizohet konkursi ndërkombëtar për projektimin e xhamisë dhe muzeut të bashkëjetesës fetare në Tiranë. Ky konkurs është zhvilluar në dy etapa; në mbyllje të fazës së parë kanë aplikuar plot 100 studio nga 28 vende të ndryshme të botës, por juria ka përzgjedhur vetëm 5 prej tyre. Konkursi për këto dy objekte që prej fundit të shkurtit ka hyrë në fazën e dytë të tij, që është dhe "etapa e projektimit", etapë kjo që sipas Bashkisë së Tiranës do të finalizohet sot më 1 Maj, ku do të zgjidhet dhe projekti fitues. Të pesta studiot në këtë fazë të dytë kanë dorëzuar pranë Bashkisë projektin ku përfshihet xhamia dhe muzeu i bashkëjetesës fetare, sipas standarteve dhe sipërfaqes që Bashkia ka përcaktuar. Për këto projekte studiot e projektimit do të paguhen me nga 45 mijë euro secila, pra në një total prej 225 mijë eurosh, fond ky që është dhënë nga qeveria e Kuvajtit. Në kërkesat e Bashkisë drejtuar studiove të projektimit kërkohet që këto dy ndërtesa publike në qendër të qytetit të kenë elemente të modernes, pra të pasqyrojnë kohë që i përkasin. Projekti për xhaminë duhet normalisht të përmbajë elementet e kultit, por duhet të ketë një arkitekturë moderne. Normalisht projektet që do realizohen, duhet t'u përmbahen sipërfaqeve dhe kateve të godinave që Bashkia ka propozuar, ndërsa lartësia për të dyja objektet nuk duhet të jetë më shumë se 18.8 metra. Sipërfaqja për xhaminë është 2.500 m2, ndërsa sipërfaqja për muzeun është 1650 m2. Ndërtesa e xhamisë duhet të ketë salla për mësim, biblioteka, pra të jetë një objekt i lidhur me dijen islame.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›