Delvinë, Berisha: 4 vitet e ardhshme do jenë vitet e modernizimit të infrastrukturës rrugore në të gjithë Shqipërinë

Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin” prezantojnë në Delvinë kandidatin për kryetar bashkie, Dhurim Alinani
Kryeministri Sali Berisha vijoi sot, takimin me qytetarë të Delvinës, në kuadër të paraqitjes së alternativës për Qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kryeministri shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie Dhurim Alinani dhe garantoi qytetarët e Delvinës për mbështetjen e çdo projekti për zhvillimin e saj. Delvina, - tha Kryeministri - është rrethi i potencialeve të mëdha, i burimeve natyrore nëntokësore të mëdha, i potencialeve të mëdha turistike, i trashëgimisë kulturore, i potencialeve të jashtëzakonshme bujqësore. Kryeministri edhe nga Delvina u bëri thirrje fermerëve shqiptarë të shtojnë sipërfaqet e mbjella me ullinj, dru frutorë e vreshta, duke i garantuar se qeveria do t’i subvencionojë për çdo rrënjë të mbjellë. Ndër projektet e rëndësishme në infrastrukturorë rrugore për këtë rreth, gjatë këtij mandati, Kryeministri veçoi ndërtimin e rrugës Delvinë-Muzinë dhe përfundimin e rrugës Delvinë-Kardhiq.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dua t’ju përshëndes përzemërsisht, t’ju falenderoj me mirënjohje për të gjithë mbështetjen tuaj të madhe që i keni dhënë Partisë Demokratike që në ditët e para të themelimit të saj, gjer më sot, si dhe t’ju garantoj se kjo mbështetje është një obligim i madh për ne, një obligim i madh për secilin prej jush dhe Delvinës në tërësi. Unë kam kënaqësi të veçantë të paraqes sot, para jush, kandidat për kryetar bashkie, kryetarin tuaj të bashkisë, zotin Dhurim Alinani, njeriun që me dashurinë e tij për ju, për Delvinën, me aftësitë e përkushtim e tij, ia doli realisht të ndryshojë këtë qytet, ia doli të rindërtojë infrastrukturën e tij të rrënuar, ia doli të kthejë Delvinës në rrugën e vërtetë të zhvillimit. Jam sot, para jush, për t’ju garantuar se çdo votë për Dhurim Alinanin në datën 8 maj do të jetë votë për secilin prej jush dhe se suksesin e Dhurimit do ta shndërrojmë së bashku në një sukses të madh individual për çdo qytetar të kësaj bashkie. Në katër vitet e shkuara, ne kemi investuar në rrugë kombëtare, në rrugë lokale, ujësjellës e kanalizime, shkolla, siç theksoi kryetari juaj, më shumë se në një shekull. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të investojmë në rrugët e rrugicat tuaja, shkollat e kopshtet, ujësjellës e kanalizime, në infrastrukturën më moderne dhe turizmin shumë e shumë herë më tepër, se gjatë katër viteve që shkuan. Projektet tona, për katër vitet që vijnë, janë projekte për Delvinën moderne, Delvinën e zhvilluar. Në infrastrukturë do të jetë asfaltimi i plotë i të gjitha rrugëve e rrugicave të territorit të bashkisë së Delvinës, të të gjitha shkollave e kopshteve, ujësjellësit e kanalizimet. Gjatë këtij mandati do të ndërtojmë e rindërtojmë rrugën Delvinë-Muzinë, do përfundojmë rrugën Delvinë-Kardhiq, do të asfaltojmë çdo rrugë të kësaj bashkie. Gjatë këtij mandati, një horizont të ri do të marrë Delvina turistike, Delvina e bukurive të mëdha natyrore, e brigjeve dhe e trashëgisë të shkëlqyer kulturore. Në këtë takim, ne mblidhemi si njerëz që kemi derdhur shumë djersë, kemi përjetuar sakrifica, vuajtje e mundime, por mblidhemi sërish me besim të plotë se kjo rrugë e këtyre 20 viteve të fundit ka qenë rruga më e mirë e jetës sonë, se rruga e lirisë ishte rruga e shpëtimit tonë. Ne mblidhemi këtu, pasi, pavarësish nga vuajtjet, sakrificat, mundimet, dhimbjet, sot ne shohim njëri-tjetrin drejt në sy, si njerëz të sukseseve të mëdha, si njerëz të ëdrrave të mëdha të realizuara, si njerëz me një besim të pashoq në tërë jetën tonë tek vetja, tek njëri-tjetri dhe e ardhmja, si njerëz të vendosur të ndërtojmë Delvinën europiane, të ndërtojmë Europën këtu, në Delvinë, në qytetin e fshatrat e saj. Sot, ne mblidhemi këtu, pasi kemi vendosur në mënyrë përfundimtare Delvinën aty, ku e ëndërronte burri madh i kombit shqiptar, burri më i shquar i Delvinës, Sulejman Delvina, me themelues të tjerë të Shqipërisë. Ne mblidhemi këtu, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, si qytetarë që lëvizim të lira pa viza në mbarë Europën, si qytetarë të një vendi, rritja ekonomike e të cilit kryeson rritjen ekonomike në Europë në tre vitet e fundit. Ne mblidhemi këtu, si qytetarë të një vendi që vetëm 50 vjet më parë kishte një nga infrastrukturat më të rrënuara në Europë dhe në botë dhe në pesë vite, ia dolëm të asfaltojmë, ndërtojmë e rindërtojmë mbi 8 mijë kilometra rrugë, autostrata, superstrada, në të katër anët e vendit. Shumë shpejt, distanca Delvinë-Tiranë do të mund të përshkohet në rreth dy orë, pra, të shkurtohet më shumë se 60 përqind. Ne mblidhemi këtu, pasi kemi ngritur një sistem arsimor me disa tregues ndër më të mirët në Europë. Sot, 91 përqind e e vajzave dhe djemve të Delvinës dhe të Shqipërisë që mbarojnë klasën e 9-të ulen në bankat e gjimnazeve dhe mbi 70 përqind e të gjithë maturantëve tanë që mbarojnë shkollat e mesme ulen në bankat e universiteteve. Në çdo shkollë ka internet, kabinet informatike dhe do të kenë laboratorët më modernë. Rruga nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë plot dinjitet, suksese dhe arritje. Dhe kjo është merita juaj, qyetare e qytetarë të Delvinës, merita e qytetarëve shqiptarë, e reformave të qeverisë që ju keni mbështetur. Delvina është rrethi i potencialeve të mëdha, rrethi i burimeve natyrore nëntokësore të mëdha dhe ju garantoj se shpejt, ato do të jenë vlerë për qytetarët e Delvinës dhe për mbarë qytetarët shqiptarë. Delvina është rrethi i potencialeve të mëdha turistike, i trashëgimisë së madhe kulturore. Çdo ditë e më shumë, ato do të bëhen disponibël për qytetarët shqiptarë dhe qytetarët nga mbarë bota. Këtë vit Delvina, Shqipëria është e bukura e dheut, destinacioni kryesor turistik i planetit. Delvina ka një potencial të jashtëzakonshëm bujqësor dhe këtu është thirrja ime për fermerët e Delvinës, për qytetarët e saj, të mos harroni se ky vend shumë shpejt, shumë më shpejt sesa mendohet, do të renditet në grupin e vendeve të zhvilluara. Revolucioni industrial është i pandalshëm. Eksportet shqiptare u rritën me 62 përqind vitin e kaluar. Shumë shpejt, ne do të jemi në moshën dixhitale, madje më lart se kombe të tjera. Ne ia dolëm të shndërrohemi destinacioni turistik kryesor i planetit. Pasuritë tona nëntokësore do të jenë vlera për të gjithë qytetarët. Por ne duhet të vendosim me guxim, me dashuri të madhe për Delvinën, për çdo metër katror të këtij vendi të bekuar, të shumëfishojmë sipërfaqet e mbjella me ullinj, agrume, fruta e vreshta, ta shndërrojmë Delvinën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më madhështor, më të bukur në Europë, ta bëjmë Delvinën e Shqipërinë të famshme jo vetëm për turizmin dhe zhvillimin e saj, por edhe për kopshtet e saj më të bukura e më mahnitëse. Ndaj kërkesën e kryetarit tuaj të bashkisë, për të bërë disponibël kullotat, do ta bëjmë realitet brenda disa javëve. Ju garantoj se qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri, agrumesh apo vreshti që ju do të mbillni në fermat tuaja. Këto vite, besoj se e keni të qartë janë vitet e ndërtimeve më të jashtëzakonshme në infrastrukturë, sepse neve na duhen rrugët për t’u zhvilluar, uji dhe ujësjellësit, kanalizimet, por është shumë, shumë e afërt dita, kur ne do t’ju mbështesim juve, fermerët shqiptarë, për të bërë mbjelljet më të mëdha, vaditjen më moderne, përpunimin më të mirë. Kjo është alternativa që ka në epiqendër qytetarin, sepse për ne nuk ka gjë më të rëndësishme sesa punësimi juaj, rrogat e pensionet tuaja, sepse ne e kemi dëshmuar këtë. Në katër vite, ne dyfishuam të gjitha pensionet e ulëta, dyfishuam rrogat e ulëta, dyfishuam rrogat e mesme. Shqipëria doli nga grupi i vendeve të varfëra me të ardhura të pakta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. 2017, Shqipëria në grupin e vendeve të zhvilluara, në grupin e vendeve me të ardhura të larta. Ju bëj thirrje, në 8 maj votoni zotin Dhurim Alinani, votoni kandidatët e “Aleancës për qytetarin”. Ju garantoj se do të financojmë çdo projekt që ju do të hartoni së bashku me ta. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Delvina është e para, Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Delvina! Rroftë Shqipëria!”
...