E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tiranë, tentuan të korruptojnë punonjës të Policisë Rrugore me qëllim shmangien e gjobës, procedohen 2 shtetas

Policia e Tiranës ka dërguar në Prokurori 2 qytetarë, të cilët akuzohen se kanë tentuar që të korruptojnë punonjës të policisë rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative.

Policia Rrugore bëri të ditur se si rezultat i kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka goditur 2 raste të mitëdhënies, me qëllim shmangien e masës administrative.

“Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në shkelje automjetet me drejtues shtetasit E. K., 20 vjeç, dhe R. M., 36 vjeç. Me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera, këta shtetas i kanë ofruar punonjësve të Policisë, shuma të ndryshme parash.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për këta 2 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Me 2 personat e proceduar së fundmi, shkon në 20 numri i rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, të goditura gjatë këtij viti, nga Policia Rrugore e Tiranës.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e makinave që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›