Shkodër, festa e Fiter Bajramit rrit çmimet
Rritja e çmimeve të produkteve të ndryshme varion nga 30-120 lekë. Asnjë masë e marrë nga strukturat përgjegjëse
SHKODËR - Afrimi i festës së Fiter Bajramit është shoqëruar me rritje të çmimeve të produkteve të ndryshme në qytetin e Shkodrës. Siç ndodh prej vitesh, në prag të çdo feste, tregtarët i rrisin çmimet në përgjithësi dhe veçanërisht ato të produkteve që në festë përdorën më shumë. Në tregjet e Shkodrës gjatë së shtunës kishte rritje të çmimit të frutave të thata e të njoma, të ëmbëlsirave, lëngjeve të frutave etj.
Konsumatorët shkodranë shprehen se ka tri ditë që çmimet kanë nisur të rriten, ndërsa të shtunën ato kanë pësuar rritjen më të madhe, e cila shkon nga 30 - 120 lekë për produkte të ndryshme. Nga strukturat përkatëse nuk është bërë ndonjë kontroll për të evituar këtë dukuri, e cila përsëritet në prag të çdo feste.
Në prag të festës së Fiter Bajramit, në urimin e tij, myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani ka bërë apel për falje e paqe duke kërkuar pajtim për familjet që janë në hasmëri apo të ngujuara. Ndërsa në mesazhin e tij, kreu i kishës katolike, arqipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Masafra, krahas urimeve për komunitetin mysliman ka theksuar se "qoftë të krishterët e qoftë myslimanët janë të ftuar nga feja e tyre që të luftojnë kundër varfërisë, një luftë në të cilën mund të bashkojnë përpjekjet e tyre.
Varfëria për ta luftuar është në sytë e të gjithëve: uria, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e kurimeve mjekësore e të shtëpive të përshtatshme për të gjithë, mungesa e sistemeve edukative e kulturore, analfabetizmi, varfëria në marrëdhënie, varfëria morale e shpirtërore. I varfëri na flet, na sfidon, por mbi të gjitha, na fton të bashkëpunojmë ", thuhet në mesazhin e arqipeshkvit të Shkodrës ku përmenden dhe urimet nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, Zyra e Shenjtërisë së Tij Benedikti XVI për marrëdhëniet me fetë e tjera.
Disa nga çmimet e rritura:
molla ishte 110 lekë/kg, është 130 lekë/kg,
dardha ishte 170 lekë/kg është 200 lekë/kg,
rrushi ishte 100 lekë/kg është 140 lekë/kg,
mishi i viçit nga 800 lekë/kg është 900 lekë/kg,
tortat e ndryshme që kanë qenë 400- 500 lekë, janë bërë 600 - 700 lekë të njëjtat,
domatja, kastraveci, patatja janë rritur me 20 lekë/kg,
lëngjet e frutave që kanë qenë sipas llojeve 100-180 lekë kanë shkuar përkatësisht 130 deri 210 lekë,
bakllavaja e pjekur, sipas madhësisë, është rritur me 40-60 lekë/copa