E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vritet farmacistja

TIRANE - Një 35-vjeçare ka humbur jetën pasditen e sotme, pasi u qëllua me armë zjarri pak metra larg banesës së saj, në periferi të kryeqytetit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:40 në Shkozë, teksa 35-vjeçarja me profesion farmaciste ishte duke u kthyer në shtëpi.
Mësohet se viktima Eleni Basho, nënë e një fëmijë, është qëlluar me 3 plumba, ndërsa nuk ka të dhëna për shkaqet e ngjarjes së rëndë.

Sipas burimeve të policisë, dyshohet se autorë të krimit janë dy persona, të cilët janë larguar menjëherë nga vendngjarja të favorizuar edhe nga errësira.

Burime nga vendngjarja bënë të ditur se gruaja është gjetur e plagosur rreth 30 metra larg banesës së saj dhe është nisur menjëherë për në spital, por humbi jetën gjatë rrugës për shkak të plagëve të rënda.

Paraprakisht, policia ka përjashtuar mundësinë e një krimi brenda familjes, pasi bashkëshorti i viktimës ndodhej në punë në momentin e ngjarjes.

Policia vijon hetimet intensive ndërsa aktualisht janë duke u marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët dhe familjarët e viktimës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›