E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta për Fejzi Hoxhën dhe familjarët e tij

Isuf KALO 

U habita dhe njëkohësisht jo me reagimin lidhur me shkrimin tim për 100-vjetorin e lindjes së Prof Fejzi Hoxhës. U habita sepse e gjithë simpatia, respekti dhe përzemërsia që kam shprehur qartas për të paskan irrituar një familjar të tij!!
Sikur një ditë ndonjë nga ish-studentët apo kolegët e mi të rinj do të shprehte për mua kur të mos jem gjallë vetëm gjysmën e tyre unë për vete do të ndjehesha i shpërblyer e tejet i lumtur! Por edhe nuk u habita, sepse reagimi ka ardhur nga pjesa private, biologjike apo familjare tij, e cila nuk ka asnjë lidhje, asnjë meritë, as informacion te besueshëm me pjesën profesionale të profesorit tim, atë që ne nderojmë si e mirë publike. Kjo pjesë familjare u pat futur si pykë në mes profesorit dhe marrëdhënieve të tij të punës që kur ai ishte gjallë. Ajo pat qenë këpusha që thithte favore mbi figurën e tij. Ishin pretendimet dhe pakënaqësitë e tij në kohën kur unë isha drejtues i katedrës që iniciuan e gjeneruan keqkuptimet e profesorit (pasojë dhe e moshimit) për gjoja mosmirënjohjen e mosrespektimin tim ndaj atij. Arsyeja pse në shkrimin tim i ndaja këto dy pjesë është sepse puna dhe veprimtaria e përbashkët që kemi kryer me në krye profesor Hoxhën dhe shkëlqimi i tij në të i përket vetëm pjesës publike profesionale e jo asaj private apo familjare. Ndërkohë nuk habitem që një trëndafil si ai të ketë në trungun e tij edhe ndonjë gjemb. Respektin për profesorin tim e kam shprehur në një këndvështrim të gjerë të bazuar në të vërtetat dhe vlerat e qëndrueshme të tij dhe jo vetëm në mitet dhe manipulimet e përkohshme të diktuara nga rrethanat e kohës, me apo pa miratimin e tij. Nuk është e vërtetë që të vdekurit ndihen më të qetë aty ku janë kur gënjejmë, deformojmë ose ekzagjerojmë në mënyrë groteske për ta. A mundet siç ka aluduar në reagim familjari në fjalë që ta quajmë Fejzi Hoxhën si “Skënderbe” të mjekësisë tonë? A është kjo garanci për besnikëri ndaj kujtimit të profesorit? Pretendime të tilla mbajnë era myk. Edhe vetë historia e Skënderbeut tregon të kundërtën. Ai telashet me të mëdha i pati më së pari nga njeriu i afërt i gjakut të tij Hamzai. Nga ambicia, lakmia dhe interesat e tij. Edhe tentativa për ta ngjyrosur autoritetin profesional të profesor Hoxhës me nuanca ndërkombëtare, duke përdorur si argument për këtë miqësinë e tij me disa profesorët të shquar francezë vetëm e deformon imazhin e tij. E vërteta është që Prof. Miliezi, Assani, etj., e njohën dhe u “miqësuan” me profesor Hoxhën kryesisht në kontaktet e imponuara që patën më të në rolin e shoqëruesit të pacientëve të “bllokut” në konsultat që ai bëri me ta në Paris ose Tiranë dhe jo falë vlerave të performancës profesionale të veprave, botimeve apo referateve shkencore origjinale të tij. Eshtë më së paku naive, që mikpritja e mirësjellja qytetare e tyre, e mbështetur edhe nga shteti francez të ngatërrohet me respektin, vlerësimin dhe admirimin profesional e shkencor ndërkolegjial, i cili është krejt tjetër gjë.  
Pavarësisht nga këto, në respekt të kujtimit të profesor Hoxhës sqaroj se nuk ka në shkrimin tim siç pretendohet pa baza, asnjë mashtrim. Ka vetëm vlerësime objektive, mirënjohje respekt dhe mall. Përkundër tyre në reagimin e djeshëm ka një serë keqinformimesh të qëllimta:
Se pari - Eshtë e vërtetë që nuk kam marrë pjesë në varrimin e profesorit dhe kam ndjerë keqardhje për këtë, por si mund të isha? Në atë kohë dihet që unë ndodhesha me punë në Danimarkë dhe asnjë mesazh ose njoftim nuk mu dërgua as nga familja, as nga miqtë për vdekjen e tij. Çiltërsisht them që profesorin e kam dashur, më ka dashur dhe më mungon
Se dyti - Fajësohem me të njëjtën mungesë skrupulli që nuk mora pjesë në ceremoninë e 100 vjetorit të lindjes së tij!!! Por si mund të merrja pjesë kur më këmbënguljen e vet familjarit në fjalë nuk mu dërgua as ftesë dhe u përjashtova nga komisioni organizator, si dhe nga lista e atyre që duhet të flisnin në të? Ndonëse kjo ceremoni nuk u organizua privatisht nga familja, por nga Universiteti e Akademia familjari i mësipërm për habi edhe të organizatorëve e monopolizoi atë dhe e diktoi sikur të ishte thjesht aferë private e personale e tij. Por kjo megjithatë nuk më pengoi t’i shprehja profesorit përzemërsisht urimet e mia në shkrim.
Së treti - disa xhalo me “dokumente të viteve 60” apo dhëndurë që përmenden në të me tingëllojnë si përçartje tymnajash. Për dijeni bashkëpunimi im me profesorin për “pacientin e përbashkët” ka filluar vetëm pas mesit të viteve ‘70
Si përfundim, Fejzi Hoxha përfaqëson padyshim një relikë të çmuar të një epoke të mjekësisë tonë veçanërisht e shtrenjtë për diabetologjinë. Por figura dhe veprimtaria e tij profesionale e shkencore është dhe duhet të mbetet pronë publike. Çdo tentative mjerane për privatizimin dhe manipulimet e saj për interesa mbijetese apo kredibiliteti personal e familjar do t’i sjellë jo vlera shtesë, por mund ta njollosë, ta ndryshkë e të ketë pasoja vetëm të dëmshme dhe keqinformuese për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›