E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, zbulohet mekanizmi i ri i vjedhjeve me qetësues, arrestohen dy persona

TIRANE - Një formë e re e vjedhjes së qytetarëve dhe bizneseve është konstatuar nga Policia e Tiranës në disa prej rrugëve të kryeqytetit. Dy individë janë arrestuar disa ditë më parë nën akuzën e vjedhjes së pronës nëpërmjet një mekanizmi të ri. Pa dhunë, pa presion, pa kërcënim, është kjo metoda e re e cila po aplikohet nëpërmjet pijeve energjike dhe medikamentin diazepam qetësues, i cili përdoret në formë tablete dhe më pas e kthyer në pluhur duke ua ofruar biznesmenëve të ndryshëm, taksistëve dhe qytetarëve.

E aplikuar për herë të parë në qytetin e Barit në Itali, në vitin 1993, kjo formë grabitjeje po aplikohet dhe në Shqipëri, ku dy persona, njëri me origjinë nga Lezha dhe tjetri me origjine nga Kruja, kanë përdorur diazepamin, medikament ky që gjendet lehtësisht në farmacitë e kryeqytetit.

Pavarësisht faktit që ky medikament duhet të shërbehet me recetë mjekësore, në farmacitë e Tiranës, por dhe në periferi, mund të blihet lehtësisht kundrejt një shumë prej 100 lekësh. Ky medikament, në rast se merret në sasi të mëdha shkakton gjumë, gjendje kome, arrest kardiak apo dhe aritmi.

Nëpërmjet pamjeve të filmuara nga kamera e sigurisë së një pike këmbimi valutor, pranë një prej vendeve ku dy personat kanë vjedhur, është bërë i mundur identifikimi dhe më pas arrestimi i autoreve. “Neës24” ka siguruar nga burime të Policisë së Tiranës pamjet e kameras së sigurisë, ku personi futet në pikën e këmbimit valutor thjesht për të pyetur për kursin e këmbimit dhe me pas futet në dyqanin e rrobave, të cilin e grabiti disa minuta më vonë.

Andi Mekrizvani 25 vjeç dhe Mentor Dunga 33 vjeç janë personat e arrestuar nga komisariati numër 2 i Tiranës, pasi disa ditë më parë kanë vjedhur, duke vënë në gjumë me medikamentin Diazepam, shtetasin A.Mehmeti të cilit i kane marrë 3500 euro dhe një varëse floriri, dhe shtetasin M .Pashollari të cilit i kanë marrë në dyqanin e tij 40.000 lekë të reja mall dhe rreth 100 mijë lekë të reja në sirtar.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Tiranë, zbulohet mekanizmi i ri i vjedhjeve me qetësues, arrestohen dy persona

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›