Del nga koma efektivi i plagosur. Preng Lleshi kujton pak nga ngjarja
Tiranë- Ka pak orë që inspektori i policisë Preng Lleshi është zgjuar nga koma. Në Spitalin Ushtarak i gjenden pranë vetëm familjarët e tij më të afërt.
Efektivi i policisë që pritet t’u nënshtrohet operacioneve të kushtueshme në gjymtyrë, përpiqet të kujtojë se çfarë ndodhi një jave më parë, ku ai ishte në krye të detyrës në zonën e Kamzës në një postbllok policor në të cilin mbeti i vrarë kolegu i tij Selman Lena dhe ai u plagos rëndë.
“Ka qenë një pikë kontrolli…nuk mbaj mend…kemi qenë më bluza fosforeshentë, me tabela ndalimi. Postoblloku ishte ngritur me urdhër të planit të masave…nuk mbaj mend rrethanat e aksidentit. Kam 15 vjet në polici. Postoblloku ishte shumë i rregullt, rruga ishte njëkalimshme.Tabelat ishin të rregullta”, thotë Lleshi.
Per Preng Lleshin ndryshe nga dyshimet e Prokurorisë që la në arrest me burg autorin e krimit, ajo çfarë ndodhi mund të jetë më shumë një aksident me pasojë vdekjen, se sa vrasje për shkak të cilesive të veçanta. Megjithatë ky është një version paraprak duke qenë se efektivit nuk i kujtohet e gjithë skena.
Një fakt tjetër i dhimbshëm, të cilin askush nuk ja ka thënë është që Selman Lena, i cili ndodhej me të në postbllok, mbeti i vrarë atë natë.
Për goditjen me automjet të postbllokut, ku një polic u vra dhe një tjetër rrezikon të mbetet invalid, ndodhet në paraburgim Eduart Koleci, i cili është nën hetim për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të vecanta. Ai nuk i ndaloi postbllokut të policisë së Kamzës, duke qëlluar me automjetin e tij efektivët, e më pas duke u larguar nga vendngjarja. Por i pandehuri u mbrojt në gjykatë me alibinë se kishte qenë i dehur dhe se po udhëtonte me shumë shpejtësi.
Marrë nga Top-Channel