E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranës i rikthehet jeta kulturore. Skrami: Teatri, kryefjalë drama shqipe

Tiranë- Siç rrallë ndodh në vende të tjera, por që në Shqipëri është shndërruar në një ‘traditë’, stina e nxehtë konceptohet nga institucionet kulturore kohë pushimi e cila zgjat 2 muaj.

Andaj edhe çdo skenë ku gjatë muajve të tjerë ka shfaqje, ku diçka lëviz, gjatë verës ndeshesh vetëm me postertat shfaqjeve që kanë mbyllur sezonin artistik në qershor dhe kaq. Fillim shtatori. Skenave të mëdha të Tiranës, ajo e Teatrit të Operas dhe Baletit, e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Metropolit tanimë i rikthehet jeta.

Kjo fundjavë shënon çeljen e sezonit të ri artistik për Teatrin Kombëtar, veçse jo me premiërë. Do të jenë shfaqjet e repertorit ato që do i rikthehen skenës. Kristaq Skrami, drejtori i Teatrit Kombëtar teksa flet për këtë sezon të ri artistik, ndalet në hapësirën e posaçme që do i kushtohet dramaturgjisë kombëtare dhe festivalit mbarëkombëtar që i paraparë të mbahej çdo vit, i rikthehet skenës pas 5 vitesh mungesë.

Z. Skrami, jemi prag çeljeje të sezonit artistik të vjeshtës, pas 2 muajsh mungesë shfaqjesh. Ç’do të mund të shohin shqiptarët në teatrin e tyre kombëtar përgjatë këtyre muajve?

Teatri Kombëtar është në përgatitje për fillimin e sezonit të ri artistik i cili për ne është tepër i veçantë, pasi duke nisur nga kjo fundjavë, deri në fund të vitit, përkujnë me ngjaren e 100-vjetorit të pavarësisë,  është periudha kur aktivitetet do të jenë shumë më të ngjeshura, të përcaktuara dhe dedikuar kësaj ngjarjeje të madhe për kombin. Por ndërsa ne punojmë për premierën e re, skena nuk do të mbetet bosh asnjë fundjavë…është një politikë e ndjekur prej nesh dhe që do të vijojë në çdo sezon. Janë shfaqjet e repertorit ‘Henry VI’, “Dashuri e përjetshme” dhe “Doktor Shuster” që do të mbushin fundjavat deri në premierën e muajit nëntor dhe festivalin disa ditor të teatrove.

Flisni për premierën e shfaqjes “Ëndrra e Ismail Qemalit” apo jo.

Në nisje të javës së ardhshme do të fillojë puna intensive për premierën e re, dramën e cila u shpall fituese nga Konkursi Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe. Mund t’ju them se regjisori i shfaqjes që do të jetë Spiro Duni dhe dramaturgu Bashkim Kozeli prej shpalljes së saj si drama fituese, janë duke punuar intensivisht por për detajet teknike të vënies skenike të kësaj vepre. Premiera do të jetë në nisje të muajit nëntor dhe do të paraprijë nisjen e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove. Ende nuk është diskutuar për kastin e aktorëve të shfaqjes dhe domos nuk është vendosur as se cili do të jetë Ismail Qemali në skenën e Teatrit Kombëtar. Por nuk kemi shumë kohë dhe besoj që javën e ardhshme do duhet të marrim vendimet tona edhe sa i takon kësaj çështjeje. E them këtë si pjesë e grupit që po punon shumë me këtë shfaqje e cila do të jetë premiera jonë e rëndësishme e muajit nëntor, produkt yni në këtë 100-vjetor dhe dedikuar historisë së kombit tonë.

Po përgjatë muajit nëntor në Teatrin Kombëtar do të mbahet edhe ‘manifestimi’ teatror mbarëshqiptar, festival i cili rikthehet pas 5 vjetësh. Është gjithçka gati për të?

Ne kemi përcaktuar datën 10 nëntor kur do të ngrejë siparin ky festival. Mendojme që ai të vijojë deri më 24 nëntor por për këtë nuk mund të flas me saktësi pasi gjithçka do të varet nga pjesëmarrja e trupave teatrore. Zyrtarisht ne kemi 10 muaj që kemi njoftuar teatrot në të gjithë vendin dhe trevat shqiptare. Ndonëse nuk kemi përgjigje përfundimtare për shfaqjet me të cilat do të përfaqësohen në këtë festival, në parim i janë përgjigjur pozitivisht ftesës sonë dhe me siguri do të ketë trupa nga thuajse të gjitha teatrot shqiptare. Në fakt, sikundër ju e theksuat, ky do duhej të ishte një festival i përvitshëm por për një periudhë 5-vjeçare është ndërprerë, për arsye të pakuptimta, absurde. Nuk e gjykoj të udhës që në Shqipëri mbahen dhe financohen disa festivale të tjera të kësaj natyre dhe në Tiranë nuk ka një të tillë, nuk ka në skenën kombëtare. I ideuar për të qenë i përvitshëm, 1 vit me shfaqje vetëm nga dramaturgjia kombëtare e një tjetër me shfaqje të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare, prej 5 vjetësh ka pushuar se ekzistuari. Ka qenë i ndarë kështu, me qëllimin e mirëpërcaktuar, t’i japë shtysë dramaturgjisë kombëtare por ja që nuk ka mundur të jetë kështu. Mbetemi me shpresën që pas këtij rikthimi të mos i mungojë më skenës kombëtare.

Prej vitesh flitet Z. Skrami për probleme të mëdha të dramaturgjisë kombëtare dhe mbi gjithçka, problematika të teatrit. A do të shfrytëzohet ky takim mbarëkombëtar për të diskutuar apo do të jetë thjesht dhe vetëm një manifestim teatror?

Ne e konsiderojmë një moment kyç këtë rikthim të festivalit andaj edhe gjatë ditëve të tij është paraparë dhe do të mbahen disa diskutime mbi dramaturgjinë kombëtare dhe sidomos mbi probleme të teatrit shqiptar i cili duhet ta pranojmë, përballet me jo pak ngërçe. Është një moment shumë i mirë ky i cili duhet doemos të shfrytëzohet pasi këtu do të bëhen bashkë krijues, aktorë, njerëz të teatrit nga të gjitha trevat shqiptare dhe media do të jetë partnere e jona për të përballur mendimet e për t’i bërë ato publike. E shoh këtë si një moment për t’i vënë disa pika mbi ‘i’, aq sa të mundemi…pasi përgjatë viteve flasim e flasim për problematika, por thuajse asnjëherë nuk arrijmë në përfundime dhe as që propozojmë zgjidhje.

Bisedoi: Anisa Ymeri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›