E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, depozitohen 92 ankesa

10/02/2009  Prefekti Pajuni: Janë deleguar për në qendër. Procesi me ritme të mira

DURRES- Komisioni i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë në prefekturën e Durrësit ka deleguar në qendër listën me shtetasit, të cilët kanë depozituar kërkesë për verifikimin e titujve të pronësisë. Një fakt i tillë është bërë publik nga prefekti i prefekturës së Durrësit Klodian Pajuni, i cili ka saktësuar se komisioni ka kaluar në dorë pjesën më të madhe të ankimimeve.

Ankesat

“Janë 92 ankesa të depozituara në komision lidhur me vlerësimin e titujve të pronësisë”,-ka thënë Pajuni. Thuajse të gjitha janë nga Bashkia e Durrësit dhe fare pak prej tyre vinë nga Sukthi, Manza e Fushë-Kruja. Prefekti ka cilësuar se procesi vijon me ritme të mira duke veçuar edhe ngadalësinë që dëshmojnë disa njësi vendore. “Deri më tani kanë përfunduar këtë proces dy njësi dhe konkretisht Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Fushë-Krujës”,-është shprehur prefekti nisur nga relacioni i komisionit në prefekturë. Ndërsa nuk ka preferuar të bëjë analizën një nga një të ecurisë në komuna e bashki, pasi ka theksuar se është punuar mirë edhe në komunën e Ishmit dhe në atë të Xhafzotaj, ka theksuar se procesi duhet të përshpejtohet në Bashkinë e Manzës. Janë kryesisht zonat e njësitë vendore, të cilat kanë pasur ndërmarrje shtetërore dhe të tjera që u është zgjeruar vija e verdhë, të cilat reflektojnë edhe ankesa lidhur me titujt e pronësisë. Pajuni ka bërë të ditur se shumë shpejt do të ketë një informacion të detajuar sapo komisioni të jetë shprehur për mbylljen e procesit në disa njësi vendore. Transferimi i pronave publike si dhe mbivendosjet së bashku me tendencën për t’u kompensuar nga prona të të tjerëve ka sjellë mbivendosje si dhe konflikte të shumta, të cilat kanë përfunduar në dyert e gjykatës. Kjo e fundit në mënyrë të përditshme ka në tryezë së paku një dosje të tillë duke u shprehur se ankimimet janë të shumta në numër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›