E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2009, shtohen lëndët me zgjedhje

10/02/2009  Ndryshime në formularin A-1, shpërndarja në shkolla nis gjatë muajit mars

Rregullorja e provimeve të Maturës Shtetërore për 2009-n tashmë është dërguar në Ministrinë e Arsimit dhe pritet dhe miratimi i saj nga kreu i këtij institucioni. Ashtu siç është deklaruar nga specialistët hartues të rregullores në AVA, këtë vit procedura e provimeve ka pësuar ndryshime krahasuar me një vit më parë. Kështu, në listën e lëndëve me zgjedhje që përmban formulari A-1 do të ketë më shumë alternativa në dispozicion të maturantëve. Megjithatë, gjatë ditës së sotme pritet që të publikohet e plotë rregullorja e provimeve, me të gjitha risitë dhe ndryshimet e propozuara për procedurën vendimtare, mbi bazën e të cilave do të bëhen pranimet në universitete gjatë vitit të ardhshëm. Gjatë këtij viti është propozuar që të ndryshojë afati i nxjerrjes së fituesve apo rezultateve të provimit pas procesit të vlerësimit. Konkretisht është përcaktuar që ky afat kohor të jetë më i kufizuar sesa afati i përcaktuar në rregulloren e 2009-s.

Formulari A-1

Çelja e procedurës së aplikimit do të nisë edhe këtë vit në muajin mars me shpërndarjen e formularit A-1 nëpër shkollat e mesme për t’u plotësuar nga të gjithë maturantët. Ndërkohë është përcaktuar që listës së lëndëve me zgjedhje do t’i shtohet edhe një tjetër lëndë, duke e çuar kështu në 10 numrin e alternativave me zgjedhje që do të përmbajë formulari. Maturantët do të përzgjedhin dy prej këtyre lëndëve ku duan të vijojnë studimet. Konkretisht është propozuar që në këtë listë të bëjë pjesë edhe dega e italishtes, e cila do të konsiderohet si lëndë me zgjedhje më vete për të gjithë maturantët që duan të ndjekin studimet e larta të profilizuara në këtë drejtim. Nga ana tjetër, maturantët do të asistohen nga një specialist për Maturën Shtetërore për plotësimin e formularit dhe përzgjedhjen e dy lëndëve me zgjedhje, procedurë kjo që do të ndiqet për të shmangur mundësinë e bërjes së gabimeve në plotësim, të cilat mund të jenë me pasoja skualifikuese.

Ndryshime

Gjithashtu janë përcaktuar një sërë ndryshimesh të tjera, veçanërisht në masat administrative të procedurës së mbikëqyrjes dhe vlerësimit të testeve të provimit. Kundrejt këtij ndryshimi maturantët do të kenë mundësi që gjatë këtij viti të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes, duke dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me koeficientet që do të jenë në dispozicion të llojit të shkollave dhe degëve të fakulteteve. Njëkohësisht përparësi në provimet e 2009-s do t’i jepet dhe procedurës së ankimit, ku maturantët në rast të parregullsive që do të gjejnë pas vlerësimit të testeve do të kenë mundësi të ankohen, dhe kjo e fundit të merret parasysh. Sipas ekspertëve, kjo do të shoqërohet me ndryshim të renditjes në lista, në rast se kandidati do të vërejë parregullsi në pikët e vendosura, duke shmangur kështu mbetjen e procesit të ankimimit formal, siç ka ndodhur në provimet e shkuara.

Miratimi i buxhetit

Shalsi: Loja politike po mban peng buxhetin e kryeqytetasve

Vijojnë replikat dhe akuzat ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësuesve të forcave politike për shpalljen të pavlefshme të procedurës së votimit të buxhetit të kryeqytetit gjatë mbledhjes së 3 shkurtit. Gjatë ditës së djeshme nënkryetari i Bashkisë Eduard Shalsi ka vijuar akuzat për dy forcat politike që po mbajnë peng votimin e buxhetit të kryeqytetasve, që gjithashtu ndikon në mosinicimin e punimeve për shumë projekte të planifikuara për këtë vit. “Pasi politika e tyre e vjetër e bllokimit dhe e rrëmujës u mund nga një koalicion qytetar në këshillin bashkiak, që votoi dhe miratoi buxhetin, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë sërish bashkë, por tashmë për të mos e njohur votimin e për ta bllokuar buxhetin me dhunë. Të dy bashkë dje, me të njëjtën gjuhë e me të njëjtat pseudoargumente, dhanë një tjetër shfaqje të bashkimit të tyre kundër interesave të qytetarëve, kundër së ardhmes së kryeqytetit”, - ka pohuar Shalsi. Pavarësisht këtyre deklaratave, votimi i buxhetit do të bëhet sërish në një tjetër mbledhje, që pritet të zhvillohet gjatë ditëve në vijim. Është pohuar se votimi do të jetë nominal, pra anëtarët e këshillit do të votojnë një e nga një për miratimin ose jo të buxhetit. Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga drejtuesit e Bashkisë, të cilët kanë pohuar se në mbledhjen e 3 shkurtit u grumbulluan 29 votat e nevojshme për ta ligjëruar buxhetin.

Forumi Botëror 2009

Shqipëria do të përfaqësohet nga Evis Çaja

Vendi ynë tashmë do të ketë përfaqësuesen e vet në Forumin Botëror, që do të mbahet në Uashington DC nga datat 29 qershor- 4 korrik 2009. Në këtë forum do të mblidhen personalitete të më shumë se 40 vendeve nga e gjithë bota për të bashkëpunuar dhe për të krijuar një senat global mbi çështjet sociale. Ndërkohë vendi ynë do të përfaqësohet në këtë forum nga studiuesja dhe shkrimtarja Evis Çaja, e cila gjithashtu është vlerësuar si e vetmja artiste shqiptare me çmimin “Mendjet e mëdha të shekullit XXI”, dhënë nga Instituti Biografik Amerikan. Pjesëmarrësit në këtë forum për ditë të tëra do të diskutojnë, do të mbajnë leksione, do të zhvillojnë seanca dëgjimore dhe ekspozitave të artistëve rreth problemeve sociale në të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Pas këtyre seancave pritet që vendet të shkëmbejnë alternativat e mundshme të zgjidhjes së këtyre problemeve sociale, duke ofruar kështu kontributin e palëve pjesëmarrëse. Me pjesëmarrjen në këtë forum Evis Çaja do të transmetojë informacionet mbi problematikat sociale të Shqipërisë dhe gjetjes së rrugëve për zgjidhjen e tyre. Përzgjedhja e saj si përfaqësuese ka ardhur si pasojë e kontributit të dhënë për vite të tëra me radhë në këtë fushë. Çaja është cilësuar si një talent në fushën e gazetarisë, duke punuar e studiuar për vite të tëra në shtetin grek.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›