E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Ish-të përndjekurit të dëmshpërblehen deri te nipërit

10/02/2009  Deputeti Bushati propozon shtyrjen e afatit për dorëzimin e dokumenteve deri në korrik

Partia Demokratike i propozon Kuvendit të Shqipërisë të shtojë rrethin e familjarëve të ish-të dënuarve politikë që mund të përfitojnë dëmshpërblim financiar sipas ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Deputeti Astrit Bushati, mbështetur nga firmëtarë të tjerë të mazhorancës, ka propozuar një amendim ligjor, sipas të cilit në rrethin familjar përfitues të futen edhe vëllezërit, motrat dhe nipërit e ish-të dënuarit politik. Po ashtu ai përfshin në këtë kategori edhe familjarët e klerit katolik, vëllezërit dhe motrat e tyre, prindërit, pasi siç dihet kleri kaotik nuk ka trashëgimtar. “Ndryshimi kryesor i propozuar ka si qëllim zgjerimin e përfituesve të këtij ligji, pasi një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë nuk kanë krijuar familjet e tyre. Pra, për një periudhë të gjatë ata kanë ndenjur me vëllezërit dhe motrat, ndaj është krejt logjike që këta dhe nipat e mbesat e tyre, që janë trajtuar njëkohësisht si të persekutuar politikë dhe që kanë vuajtur njësoj si ata, të përfitojnë”, - theksoi Bushati gjatë një prononcimi për “Metropol”. Në ligjin aktual të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në fund të vitit 2007 nga trashëgimtarët e ish-të përndjekurit dhe burgosurve politikë, të pushkatuar gjatë periudhës së komunizmit, përfitojnë përveç gruas dhe fëmijëve. “Në kuptimin e këtij ligji me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, vetën pasardhësit, bashkëshortja, fëmijët. Familjarët në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë”, - thuhet në nenin 8 të ligjit. Amendimi i dytë i deputetit Bushati konsiston në shtyrjen deri më 1 korrik të këtij viti të afatit për depozitimin e dokumenteve pranë Ministrisë së Drejtësisë për të përfituar dëmshpërblimin financiar. “Pjesa tjetër është procedurale, e cila shtyn afatin e aplikimit të dokumentacionit deri në datën 1 korrik të këtij viti, pra e shtyn me gjashtë muaj. Kjo për arsyen e vetme se ka një numër të madh të persekutuarish që nuk kanë arritur të plotësojnë dokumentacionin e tyre, me gjithëse kjo më tepër për arsye demokratike. Pra, nuk kanë nxjerrë datën e hyrjen në burg, të daljes nga burgu, certifikata përkatës etj. Pra, ligji realisht ka një burokraci dhe kërkon njëfarë kohe plotësimi të dokumentacionit”, - vijoi ai. Amendamentet e deputetit të PD-së kanë hyrë në rendin e ditës së Komisionit parlamentar të Ligjeve, por anëtarët e tij e kanë parë të arsyeshme ta shtyjnë diskutimin për një kohë të përshtatshme.

Masa e dëmshpërblimit

Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit politikë dhe të internuarit në kampe

Çdo i dënuar politik për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, spital psikiatrik, spital burgut izolim në hetuesi nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991 dëmshpërblehet financiarisht në masën 2000 lekë në ditë. Për personat e internuar parashikohet një skemë pensioni e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Nga kjo shumë zbritet sasia e dëmshpërblimit të përfituar nga ligjet e mëparshme. Ky dëmshpërblim u takon edhe familjarëve të tij, në pjesë të barabartë takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë pasurore jovetjake. Ndërsa familjarët e viktimave, të pushkatuar apo ekzekutuar, me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë në masën e 8 vjetve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë pasurore jovetjake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›