E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titulli i parë

Dallas Mavericks përfundoi tri dekada pritje dhe fitoi titullin e parë në NBA, duke mposhtur Miami Heat me rezultat 105-95 dhe duke kompletuar triumfin 4-2 në serinë finale. Ylli gjerman Dirk Nowitzki u zgjodh MVP i finales, me mesatare prej 26 pikëve për ndeshje. Nga Express më 13 qershor 2011 në ora 14:58

Dallas Mavericks fitoi titullin e tij të parë në NBA, duke mposhtur në udhëtim Miami Heat me rezultat 105-95, që përmbylli serinë finale me triumf 4-2. Jason Terry realizoi 27 pikë, ndërsa ylli gjerman Dirk Nowitzki shtoi 21 për Macericks, që fitoi katër prej pesë ndeshjeve të fundit të finales.

Triumfi kompletoi hakmarrjen e tifozëve të Mavericks, pasi Miami fitoi titullin e tij të parë në Dallas pas ndeshjes së gjashtë më 2006. Nowitzki u emërua basketbollisti më i vlefshëm (MVP) i serisë finale.

Ai kishte mesatare prej 26 pikëve për ndeshje. Edhe pse realizoi vetëm nëntë prej 27 tentimeve, si në secilën prej fitoreve në serinë finale, ai shpërtheu në fazën vendimtare duke realizuar 10 prej 21 pikëve të tij në çerekun e katërt duke shuar shpresat e Miamit për rikthim në lojë.

“Nuk mendoj se ka dyshime pas kësaj serie finale se Dirk ka siguruar vendin në mesin e basketbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave”, tha trajneri i Mavericks, Rick Carlisle. “Lëvizshmëria e tij është e jashtëzakonshme si dhe mënyra si e ngrit lojën në momente vendimtare”, shtoi ai.

LeBron James shënoi 21 pikë për Heat, por zhvilloi një ndeshje të qetë pas periudhës së parë kur realizoi nëntë. Chris Bosh shtoi 19, Mario Chalmers 18 dhe Dwayne Wade 17. James dështoi të fitojë titullin, kur si basketbollist i lirë ai dhe Bosh iu bashkuan Wadet në Miami gjatë verës së vitit të kaluar duke formuar të ashtuquajturën ‘Treshja e Madhe’.

“Që tetë vite jam në këtë ligë”, tha James i cili realizoi nëntë prej 15 tentimeve të tij nga loja dhe bëri gjashtë asistime. “Nuk ka asnjë pengesë që mund të më ndalë në përpjekjet e mia për të fituar titullin në NBA. Sigurisht se dhemb. Por, nuk do të mbaj kokën poshtë. E di se sa shumë kemi punuar si ekip për të mbërritur deri këtu”, u shpreh ai.

Dallas i udhëhequr nga tetë pikët e Nowitzkit dhe gjashtë nga Jason Kidd, mposhti Heat 28-21 në çerekun e tretë dhe krijoi epërsi 81-72 para çerekut të fundit. JJ Barea realizoi pesë pikë, derisa Mavericks shtuan epërsinë në 89-77, tetë minuta para fundit dhe Heat në vazhdim të takimit asnjëherë nuk u afruan në më pak se shtatë pikë.

“Ata bënë gjuajtje të planifikuara mirë, si dhe shumë kërcime në sulm, ishin jashtëzakonisht mirë të kompozuar”, tha Bosh për ekipin e Mavericks.

“Ata ruajtën përqendrimin dhe nuk u ndalën në asnjë moment. Dhe në momentet vendimtare realizuan sulmet e tyre”, përfundoi ai.
Dallas, klub i themeluar më 1980, fitoi tre tituj të divizionit jugperëndimor (1987, 2007 dhe 2010), dy kampionate të Konferencës Perëndimore (2006. 2011) dhe titullin e kampionit në NBA (2011).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›