Tritan Shehi: PS ka tre ditë kohë të pranojë Zaganjorin, ndryshe zgjedhim president nga PD-ja
Deputet i PD-së, Tritan Shehi, ka deklaruar sot se opozita ka tri ditë kohë për ti dhënë vendit presidentin konsensual dhe të pranojnë kandidaturën e Xhezair Zaganjorit. Shehi shprehet se nëse dështon raundi i tretë, javën e ardhshme demokratët do të rinisin negociatat me aleatët e tyre, për ti dhënë vendit një president kushtetues dhe jo konsensual, siç u ofrua të ishte Zaganjori.
“Nëse raundi i tretë dështon, dështon çdo mundësi e Partisë Socialiste për të qenë pjesëmarrëse. Pastaj procesi nuk ka nevojë më për Partinë Socialiste, por zgjidhet me votat e maxhorancës. Pozicioni i Berishës ka qenë i qartë që Shqipërisë i duhet më mirë një president politik. Tërheqja nga ky pozicion u bë pikërisht për t’i hapur rrugë procesit gjithëbashkëpunues e për të afruar PS me një kompromis të nisur brenda maxhorancës. I gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë në bazë të vendimit politik që PD do të marrë“, deklaroi Shehi.