Toçi: Emërimet në KKRT, absurde
Fatmir Toçi, deputet i opozitës, deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë ka votuar dy anëtarë të rinj të Këshillit të Kontrollit të Radios dhe Televizionit, për të zëvendësuar në këtë detyrë Mesila Dodën, tashme deputete e Partisë Demokratike dhe Artan Zenelin. Sipas tij, dy anëtarët e rinj, Endira Bushati dhe Suela Musta, janë përkatësisht këshilltarja juridike e Kryeministrit Berisha dhe përgjegjësja e zyrës së shtypit e zj.Jozefina Topalli. "Ajo që mungonte për ta bërë si zakonisht një tender ku paracaktohet fituesi ishte kandidatura formale e aleatëve të rinj të Berishës, që këtë radhë nuk është parë e arsyeshme të përzihen në punët delikate e me rëndësi të veçantë të pushtetit", tha Toçi. Në vlerësimin e tij shihet qartë se lidershipi i PD-së tregon kujdes të veçantë që në poste të rëndësishme të vendosen njerëz nga vatha e tyre. "Ky vendim absurd është dëshmi e qartë jo vetëm e arrogancës së pakorrigjueshme të kësaj mazhorance, por edhe e papërgjegjshmërisë së saj të plotë për situatën politike në të cilën ndodhet vendi", u shpreh Toçi.