Bosh: Mbrojtja e fjalës së lirë, e rëndësishme
Një tjetër diplomat i rëndësishëm i Perëndimit i akredituar në Tiranë ka qenë i pranishëm në takimin e djeshëm të gazetarëve të organizuar nga "Unioni...". Bëhet fjalë për kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i cili ka mbështetur tërësisht fjalën e kolegut të tij, Withers, dhe i ka bërë thirrje për ruajtjen dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Ambasadori Bosh deklaroi se prezenca e OSBE-së po përgatit një draft për vetërregullimin e medias, draft i cili do të krijojë atë spektër të rëndësishëm për strukturimin e rregullave të domosdoshme për një shoqëri demokratike. Por ambasadori Bosh në fjalën e tij ka qenë shumë i qartë në lidhje me rastin më të freskët të sulmit ndaj gazetarëve. Në fakt, prezenca e OSBE-së në Tiranë menjëherë pas incidentit ka dënuar sulmin ndaj gazetarit, Mero Baze, theksonte se "ne dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, në veçanti atë drejtuar medias. Të gjithë gazetarët, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre i perceptuar politik, duhet të lejohen që të kryejnë punën e tyre të përditshme pa pasur frikë nga hakmarrja fizike. Liria e medias është një parim kyç i çdo shoqërie moderne, të lirë dhe demokratike". Veç ambasadorit Withers, atij të OSBE-së, Robert Bosh, dhe gazetarëve në takim ka marrë pjesë edhe e ngarkuara me punë e ambasadës së Suedisë në vend që ka edhe presidencën e radhës në Bashkimin Europian.