E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk mund të bëhet “gazetë rozë me shpirt të zi”, i cili ka si mision veç përbaltjen e çdo funksionari të lartë

Prefekti i Tiranës Keltis Kruja reagon ndaj shpifjeve të botuara në “Gazetën Shqiptare”

Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, ka reaguar dje ndaj një shpifjeje të një gazete të majtë, të kontrolluar kryekëput nga Edi Rama. Duke marrë shkas nga një shkrim që përflet vetë prefektin, se ka qenë i përfshirë në një konflikt banal në një nga lokalet e Tiranës, Kruja mohon kategorikisht një fakt të tillë dhe e akuzon median në fjalë se e gjitha kjo është pjesë e misionit të saj në përbaltjen e çdo funksionari. ““Gazeta Shqiptare” botoi shpifjen e radhës sipas të cilës unë qenkam përfshirë në një konflikt banal në një nga lokalet e Tiranës. Siç ia kam shprehur, në një lidhje telefonike, edhe gazetares së Gazetës në fjalë, unë nuk jam përfshirë në asnjë lloj incidenti dhe aq më tepër të jem konfliktuar fizikisht me njeri. Por me sa duket kjo Gazetë, e cila teorikisht duhet të ketë si mision pasqyrimin e të vërtetës, e ka shndërruar misionin e saj në përbaltjen e çdo funksionari që nuk ka përkatësinë politike tashmë të shpallur të kësaj gazete”, u shpreh Prefekti Kruja.
Sipas tij, ky shkrim është një sulm i ulët dhe një trillim i sajuar shumë keq. “I bindur plotësisht që ky është një sulm thellësisht politik, i cili është në vazhdën e shkrimeve edhe të mëparshme të kësaj gazete për mua. I bëj thirrje Gazetës në fjalë t’i kthehet misionit të së vërtetës dhe ta pasqyrojë atë ashtu siç është dhe jo sipas qëllimeve të drejtuesve të kësaj gazete”, nënvizon në reagimin e tij, Kruja.
Prefekti i Qarkut të Tiranës, Keltis Kruja, bën me dije se pavarësisht sulmeve të rëndomta do të vazhdojë të kryejë funksionin e tij publik, i pashqetësuar nga këto trillime tendencioze.
Shkrimi, reagon edhe “Living Room” - Prefekti Kruja, jo protagonist i sherrit, gazeta të kërkojë ndjesë/Edhe “Living Room” hedh poshtë pretendimet e “Gazetës Shqiptare” se Prefekti i Tiranës Keltis Kruja ka qenë protagonist i një sherri të ndodhur në ambientet e këtij Pub-i. “Shprehim indinjatën tonë në lidhje me këtë shkrim i cili nuk referohet në asnjë burim serioz, por vetë gazetari i referohet thashethemeve për të mbushur një faqe të plotë në lidhje me këtë “sherr”. Nuk e kuptojmë se si mund të trillohen ngjarje të tilla me sherre me grushta apo përmbysje tavolinash dhe të mos merret mundimi, të kërkohet një prononcim i menaxherëve apo pronarëve të këtij Pub-i, të paktën për etike gazetarie.
Theksojmë se ky pub është i njohur në Tiranë për cilësinë e klientelës së tij dhe nuk frekuentohet nga “ordinerë” sikurse referohet në artikull, aq më tepër kur bëhet fjalë për një figurë, siç është ajo e prefektit të Tiranës. Sqarojmë se është e vërtetë se z. Keltis Kruja ka qenë atë natë në këtë ambient si një klient i këtij Pub-i dhe është e vërtetë se ka ndodhur një grindje ndërmjet dy personave që ndodheshin ne Pub, por që nuk ka pasur të bëjë fare me z. Keltis Kruja”, thuhet në reagimin e menaxherëve të “Living Room”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›