E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka bujqësore, arrihet konsensusi, pritet propozimi i Ministrisë

Tiranë- Diskutimet e për ndryshimet në ligjin e vitit 95 për kalimin e pronësisë të tokës buqësore atij që e ka në përdorim ka rikthyer debatet në Komisionin e Ligjeve.

Sipas kreut të PR- së, Fatmir Mediu, duhet të bëhet kompesimi i pronarëve nga tokat shtetërore dhe tha se ndryshimet duhet ta trajtojë njësoj problemin e zaptimit dhe të fondit prej 17 mijë e 300 hektarë që ndodhet në dokumentacionin e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e tokës.

“Asnjë centimetër katëror nuk është kthyer sot, sepse këto nuk janë toka të lira janë të zaptuara dhe nëse nuk shmangim abuzimin, nuk mund të kthejmë asnjë centimetër tek pronari legjitim. Dhe ky ligj duhet te ketë vemendjen për përjashtimin e çdo individi që ka përfituar në mënyrë të paligjshme.Pjesa më e madhe e tokave janë zaptuar në mënyrë të paligjshme”,- tha Mediu.

Sipas socialistëve propozimi ka më tepër nevojë të rishikohet dhe të jenë më të qarta propozimet për përfituesit.

“Duhet të jenë të dy kriteret bashkë, të jenë përfitues të parashikuar në listat e VKM-ve, të të gjitha qeverive dhe të kenë mungesa në dokementacion. Dhe në këtë formë në i mbyllim shtigjet abuzimit”,- tha deputetja socialiste, Shega Ligori.
Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Irfan Tarelli, tha:
“Duhet që familja të ketë edhe tokën aktualisht në perdorim. Vetem ai që e ka në përdorim, sepse aty ku territori është tjetërsuar, ai nuk ka çtë marrë më. Pra jemi në kushtet e një të drejte relative, të bëjmë më të mirën e mundshme, atë që është e mundshme për t’u realizuar. Nuk kthehemi dot në 95-ën në një territor që nuk është tokë bujqesore”

Për të arritur në një konsensus të përbashkët kryetari i Komisionit Rusmaili i propozoi Ministrisë së Bujqësisë që nëse do të heqë dorë nga shtesat dhe ndryshimet e ligjit të sjellë të mërkurën një propozim tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›