E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka në Kukës, rrezik rrëshqitjeje edhe gjatë verës

Ndonëse stina e nxehtë dhe e thatë e verës sjell rrezikun e rrënimit të tokës bujqësore dhe trojeve të banesave, banorët e disa fshatrave në rrethin e Kukësit ende nuk po edukohen me mbjelljen e pemëve, që ul këtë fenomen natyror. Duke qenë se toka është e thatë, çdo reshje shiu në stinën e verës krijon premisa rrënimi, ndërsa rreziku është veçanërisht i ndjeshëm në ato toka që janë djerr e mungon flora, kanë pohuar specialistët. Në rrethin e Kukësit, sipas studimeve gjeologjike të kryera, rreth 20 fshatra rrezikohen nga fenomeni i erozionit në raste reshjesh shiu edhe në stinën e verës, si Lojmja, Nimca, Vila, Bushtrica, Kolosjani, etj. Në komunën e Bushtricës disa vite më parë rrënimi i tokës shkatërroi një banesë, ku humbën jetën 4 persona. Nga buxheti i shtetit për këtë problem nuk kanë munguar investimet në ndihmë banorëve të rrezikuar. Vetëm gjatë viteve të fundit janë investuar 151 milion lekë për banorët e fshatit Kolosjan, për shkak të rrezikut nga erozioni i tokës, ndërsa 55 milion lekë të tjera për 51 banorët më të rrezikuar në fshatrat Nimce e Lojme. Një fond i veçantë është akorduar dhe për largimin e 7 familjeve nga fshati Resk të rrezikuar nga fenomeni i rrënimit. Fenomeni i rrënimit të tokës nga reshjet në stinën e verës nuk është i ri, pasi raste të tilla janë shfaqur herë pas here. Por masat nga pushteti vendor dhe nga  komuniteti janë të pakta e jo efikase. Është e domosdoshme që tokat pranë banesave të mbillen me pemë, të ngrihen prita malore etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›