E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore, 60 milionë euro për sektorin e energjetikës

Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore miratoi një garanci me risk të pjesshëm me vlerë 60 milion euro (78 milion US$) për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, (OSSH) të Shqipërisë. Kjo garanci do të lehtësojë privatizimin e kohëve të fundit të këtij operatori, duke i dhënë mundësi qeverisë së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ nga republika Çeke, si blerësi i ri, të vënë në zbatim Marrëveshjen e Privatizimit për OSSH-në, sipas kuadrit rregullator për të cilin është rënë dakord. Periudha e garancisë zgjat deri më 31 dhjetor 2014 dhe mbulon kuadrin rregullator si pjesë të marrëveshjes së privatizimit, që është ratifikuar në prill 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë. Sektori i energjisë elektrike në Shqipëri është problematik prej shumë vitesh. Ecuria e papërshtatshme e shpërndarjes së energjisë elektrike, në veçanti, e ka prekur të gjithë këtë sektor, duke çuar në ndërprerje të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, sektorin e biznesit dhe institucionet shtetërore. Sektori energjetik ka paraqitur edhe sfida fiskale për qeverinë, duke e detyruar atë të subvencionojë energjinë elektrike, duke përdorur, kështu, fonde të cilat mund të ishin shpenzuar në mënyrë më të efektshme për të ofruar shërbime shëndetësore, arsim dhe asistencë sociale për shqiptarët që përballen me vështirësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›