E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçovë, vjedh lokalin, kapet nga shenjat e gishtave të lëna mbi banak

Shenjat e gishtërinjve të lënë mbi banak e kanë tradhtuar vjedhësin, i cili ka përfunduar me pranga në duar. 21-vjeçari, Marsel Bega, nga qyteti i Kuçovës është kapur nga forcat e policisë, për akuzën që rëndonte mbi të, vjedhjen e një lokali. Ky arrestim, është bërë pasi në vendngjarje, vjedhësi ka lënë shenjat e gishtërinjve në banak. Burime të Drejtorisë së Policisë bëjnë të ditur se ka qenë shtetasi Marsel Bega, banor i qytetit të Kuçovës, ai i cili para disa ditësh ka bërë vjedhje të mallrave të ndryshme, të lokalit të shtetasit V. N. Ky i fundit pasi ka konstatuar vjedhjen e objektit të tij, mëngjesin e ditës së nesërme ka lajmëruar organet e policisë, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer hetimet e para procedurale. Nga akt ekspertimi daktiloskopik, ka marrë shenjat e gishtërinjve si dhe shenja të tjera dyshuese, të lënë nga autori i vjedhjes. Menjëherë, pas këtij veprimi, uniformat blu kanë verifikuar shenjat e gishtërinjve duke konstatuar se ato, i përkisnin 21- vjeçarit, Bega i cili është ndaluar ditën e djeshme nga uniformat blu. Mësohet se materialet për të arrestuarin, policia ia ka kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor të Beratit, të cilët do të hetojnë çështjen ndaj Marsel Begës për veprën penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›