Pogradec, del në breg kufoma e 37-vjeçarit, i zhdukur prej katër muajsh
Liqeni i Ohrit ka nxjerrë në breg kufomën e Arjan Liçkollarit, i cili rezultonte i humbur që prej janarit. Mendohet se viktima është vetëmbytur pas largimit nga shtëpia, ndërkohë që mendohet se viktima mund të ketë vuajtur nga depresioni, specialistët do të ekzaminojnë kufomën për të dhënë versionin zyrtar. Kufoma e 37-vjeçarit është nxjerrë ditën e djeshme nga ujërat e liqenit të Ohrit, i cili ishte denoncuar para katër muajsh si i zhdukur.
Pas një kohe të gjatë misteri, është zbuluar misteri i zhdukjes së 37- vjeçarit nga rrethi i Pogradecit, i cili për fat të keq është gjetur i vdekur. Viktima e identifikuar si Arjan Liçkollari është gjetur i vdekur, ndërsa është nxjerrë në breg nga ujërat e liqenit të Ohrit. Mendohet që viktima të jetë vetëmbytur menjëherë pas largimit nga shtëpia. Kufoma e Liçkollarit, banor i fshatit Vërdovë, në rrethin e Pogradecit është gjetur në orët e para të mëngjesit të të mërkurës, në Tushemisht të Pogradecit, buzë liqenit. Kufoma e dekompozuar, e cila ka qëndruar në ujë për katër muaj u gjet në afërsi të një hoteli, në fshatin turistik të Tushemishtit, teksa kanë qenë disa peshkatarë, që e kanë zbuluar atë. Policia lokale ka nisur hetimet, ndërsa nuk e ka pasur të vështirë të identifikojë kufomën e seksit mashkull, e cila është konfirmuar si ajo e shtetasit Arjan Liçkollari. Sipas ekspertëve, kufoma nuk ka pasur shenja dhune, ndërsa mendohet që vetë 37- vjeçari të ketë vendosur ti japë fund jetës duke u vetëmbytur në liqen. Ai ishte larguar nga shtëpia ditët e para të muajit janar, të këtij viti dhe konkretisht më 7.1.2009, ndërsa ishte larguar nga shtëpia pasi ishte duke kaluar një periudhë të vështirë depresioni. Liçkollari ishte i martuar prej shumë vitesh, por nuk kishte fëmijë, ndërkohë që gjendja ekonomike në të cilën jetonte ishte tejet e vështirë. Gjatë denoncimit të të afërmve në polici për zhdukjen e 37- vjetarit, i cili është nxjerrë i dekompozuar në breg të liqenit, është mësuar se viktima vuante nga depresioni, ndërsa nuk ka pasur ndonjë konflikt të momentit me bashkëshorten apo prindërit e tij me të cilët jetonte. Gjithsesi hetimet e policisë vazhdojnë, ndërsa specialistët e ardhur enkas nga Tirana do të ekzaminojnë kufomën për të dhënë versionin e tyre zyrtar mbi këtë mbytje.