Tokat tona na i morën ish-deputetë dhe ish-pushtetarë
Flet Idriz Haxhia, vëllai i personit që kërcënoi të vetëvritej bashkë me fëmijët në Tiranë
Rreth mesditës, Ferit Haxhia bashkë me tre fëmijët e tij ka mbërritur në banesën e tij në lagjen nr. 8 në një rrugicë pas Drejtorisë së Policisë së Durrësit, atje ku ata jetojnë prej 44 vitesh. I pritur nga familjarët e tij, vëllezërit dhe motrat, Feriti ndjehet i traumatizuar dhe nuk ka dashur të flasë absolutisht për ngjarjen e ndodhur në tarracën e pallatit në Tiranë. Ndërkohë vëllai i tij shpjegon motivin e tentativës makabre për vetëvrasje. Kemi 20 vjet në gjyqe dhe nuk marrim pronat, - thotë ai, ndërsa shpjegon se si kanë rrjedhur ngjarjet deri në veprimin ekstrem të vëllait të tij.
Z. Idriz, sa vite keni që banoni këtu dhe ku keni qenë më parë?
Kemi prej vitit 1969 që kemi ardhur në lagjen 8, ku edhe banojmë, jemi shpërngulur prej qeverisë komuniste prej tokave tona në Shkozet, atje ku ngrihet edhe sot ndërmarrja e ndërtimit dhe serave, dhe jemi ngulur në ish-barakat e ndërtuara nga ish-qeveria e Enver Hoxhës para afro 44 vitesh. Ne atje kemi afro 50 dynym tokë në pronësi, i kemi me dokumente të rregullta, por problemin e pronave tona e kanë ndjekur vëllai im, Feriti dhe ai që kemi në Tiranë. Ne jemi 7 vëllezër, sot jetojnë 6, sepse njëri na ka vdekur.
Si ka nisur odiseja e proceseve gjyqësore të pronave tuaja?
Ajo ka nisur si për gjithë shqiptarët pas viteve 90, dokumentacionin e kanë vëllezërit e mi, ata merren me këto punë, kemi bërë mbi 180 procese gjyqësore në Faktin e Durrësit, Apelit, Gjykatën e Lartë, prapë në Shkallën e Parë e kështu kemi plot 20 vjet që rropatemi dyerve dhe korridoreve të gjykatave. Jemi lodhur me gjyqe, me avokatë, duke paguar ata dhe asgjë nuk kemi fituar, ndaj dhe Feriti duket se nuk e përballoi situatën e krijuar. Në tokat tona sot ngrihen objektet e ndërtuara nga ata që nuk kanë qenë pronarët e saj, por nga njerëz që dikur kanë pasur pushtet. Kemi 20 vjet që bëjmë gjyqe, në shkallën e parë, në Apel, Gjykatën e Lartë dhe mbaj mend vetën një herë që kemi fituar një proces gjyqësor, të tjerat i kemi humbur, sepse ndërhynin nga lart.
Më konkretisht, cili prej ish-pushtetarëve ka zaptuar tokat tuaja në Shkozet?
Nuk kanë rëndësi emrat, ato janë në ZRPP-në Durrës, por kaq sa për dijeni, kanë qenë dy ish-deputetë dhe ish-pushtetarë që i kanë hipotekuar dhe shitur dorë pas dore tokat tona. Kjo është edhe arsyeja që Feriti e mori këtë hap, por unë kurrsesi nuk do ta lejoja të bënte atë veprim ekstrem. Ka rëndësi që pas këtij veprimi sensibilizues drejtësia të thotë fjalën e saj, ne kemi besim tek drejtësia. Ne kërkojmë kompensimin e 50 dynymëve nga shteti, duam kompensim sipas ligjit, asgjë tjetër.