E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi - pizeveng i letërsisë shqiptare

1. Kanë kaluar thuajse tetëmbëdhjetë vjet qëkurse censura zyrtare iu hoq kësaj letërsie. Gjatë këtyre viteve kanë ndodhur ndryshime të mëdha në sferat e shoqërisë e të artit, megjithatë, edhe shëmtimi vende-vende nëpër lamiet e kësaj panorame është i madh. Njëra nga pamjet tepër të shëmtuara (e kritikuar herë pas here nga këndvështrime të caktuara), është masiviteti si qëllim në vetvete. Njerëz që shkruajnë gjithandej, njerëz që botojnë gjithandej, shtypshkronja plot e përplot, libra nga më të çuditshmit. Këngë partizane, vargje veteranësh të thurura për vetveten e për miqtë e idealeve, ditirambe ish-brigadierësh frutikulture thurur për patëllxhanët e kastravecët, poema traktoristësh, të cilëve damari poetik na u erdhi pasi i rrumbullakosën fiks të gjashtëdhjetë e pestat. Mandej romane e tregime taze, që ti servirin turlilloj autorësh të rinj, gjashtëdhjetë e shtatëdhjetëvjeçarë, të cilët dikur si botonte as gazeta e përmuajshme lokale, ndonëse qanin me lot e çirreshin në kupë të qiellit kundër armikut të klasës. Estetë e etnologë që spërtojnë të ta paraqesin në një mijë e pesëqind ekzemplarë libër, me nga dyqind e kusur faqe, historikun e një fshati, ta zëmë vetë Firifistunit, - or lum miku, - ku shpallin botërisht se atij si gjendet shoku në botë; mihës arkivash, dyshues emblemash e deri te të vetëquajturit Bonapartë të krahinës, - pamje kjo që të zë sytë, zhurmë kjo që të trullos e të bën të ndjesh ndot nga vetvetja, kur mendon se dikush, pa e vrarë mendjen, teksa ti kalon rrugës për në bibliotekë, mund ti pëshpërisë shokut përbri se je edhe ti pjesë e këtij pizeveng panairi, ku ka më shumë shkrues sesa lexues, ku birret çdo ditë vlera e fjalës, ku shëmtia të shfaqet me tërë ndotin e saj. Nga tia mbash? Si të shpëtosh? Si ta edukosh këtë turmë lara-lara, e cila me piskama gjelash katundi mëton se bën artin modern? Ndërkohë që gjithë kësaj biçim estetike, me të cilën mballosin veprën e tyre, i vjen një erë e mendermethanshme me ta plasë rrashtën e kresë. Si tia bësh të mos e dëgjosh panegjirizmin e tyre të neveritshëm? Ku të fshihesh? Nga tia mbash? Tërë kjo turmë, sa primitive aq dhe parazitare, prej njerëzish të vetëquajtur shkrimtarë, poetë, artistë, duke gjykuar mbi karakteristikat e estetikës letrare që shpërfaq, mund të cilësohet fare mirë si një socreal i vonë, i panevojshëm po aq, sa çqe edhe i pari. Ka të paktën tetëmbëdhjetë vjet që autorët baballarë të realsocit shqiptar kanë reshtur së respektuari (të paktën formalisht) atë estetikën e tyre karakteristike të idealeve zhgënjyese. Ndërkohë që gjatë kësaj kohe, në mënyrë disi të fshehtë, këtij byku i fryjnë disa degëzime institucionesh kulturore të financuara nga shteti, në çdo cep të Shqipërisë: shumica e qendrave kulturore të bashkive, duke krijuar një klimë të favorshme për gjithë këtë buisje e harlisje pseudoartistike, ku mungon tëharrja, ku çështja më e rëndësishmja është të themi diçka, më pak e rëndësishme çfarë do të themi dhe fare pak ose aspak e rëndësishme është mënyra sesi do ta themi. Lexuesit që i ndjek me vëmendje zhvillimet letrare (ndoshta gabohem, por unë llogaris pak veta në këtë kategori), është e tepërt ti themi se krijues me vlera e talent patjetër ka në trevat shqiptare, por mungojnë politikat kulturore për afirmimin e tyre. Injoranca, provincialiteti i ideve, anakronia, varfëria gjuhësore e skajshme, nervozizmi apo panegjirizmi estetiko-letrar, shpërfaqin me koketeri fizionominë solide të një pseudoletërsie triviale, e cila më së forti i ngjan një invazioni tumoral, krijuar enkas për ti disekuilibruar marrëdhëniet normale të komponentëve autor-vepër-lexues, deri në likuidimin total të tyre, si proces i komunikimit letrar.

2. Nga kjo specie e çuditshme, që ta heq çdo dëshirë për librin dhe gjuhën e letërsisë artistike, e cila për të nënkupton fjalë për fjalë sall gjuhën zyrtare, idiotësisht dhe paradoksalisht ende vazhdon të shihet me mëdyshje vlera e veprës së Fishtës, sipas llojit të vet klasik apo e Camajt, sipas llojit të vet modern, vetëm pse gjuha e ambël gege këtyre kreatyrave nuk u tingëllon shqip. Shkurt, vepra e tyre mëtohet se përbën vështirësi leximi në aspektin e kodifikimit gjuhësor (Për fat, jetojmë në kohë pluralizmi dhe smund të shqiptojnë më se ata që i shkruan ishin antishqiptarë, siç e kanë thënë deri dje). Përveç këtyre, vazhdojnë të përçmohen dhe të vihen në diskutime dashakeqe format moderne të procedimit estetik të veprës letrare, gjykuar nga skrivania e kritikut të realsocit, i cili thyerjen e normave standarde dhe mosrespektimin e skemave romanore e gjykon gjithë hezitim, duke i hedhur konsideratat përmes ca gicilimeve prej akrepi, ndërkohë që si bie fare ndër mend këtij lloj kritiku se, për një letërsi moderne, parësore është paraqitja artistike e një realiteti apo e një ideje përmes konvencionesh ambige dhe jo argumentimi i saj, çka i përket fushës së gjykimit të vetë produktit letraro-artistik.

3. Ndoshta paraqet interes ta dinim se si procedohet sot për ta çuar nga autori gjer te lexuesi gjithë këtë amalgamë të socreali të vonë. Me thënë të drejtën, krejt pa teprime, lexuesin më rigoroz e më pasionant këto vepra kanë vetë autorin e tyre. Mandej, këta libra narcisësh shkepulë, me mënyra nga më të ndryshmet e më të paparashikuarat nga një mendje normale (e një njeriu që gëzon pak krenari), i imponohen lexuesit kryesisht me drejtim nga lart - poshtë, përmes shoqatash, organizatash a institucionesh, ku autori ka miqtë e tij të aferave dhe dallavereve ose gëzon vetë një post me rëndësi në administratën civile. Pra, mbas vetë autorëve, lexuesit e këtyre botimeve me tirazhe të lakmueshme, ose më sak blerësit e tyre (sepse që dhe këto palavira lexohen, për këtë kam dyshime të forta), janë vartësit e tyre dhe vartësit e vartësve të tyre. E kështu me radhë vazhdon qarkullimi mizor i krijimtarisë, duke filluar që nga shkalla më e lartë hierarkike (parlament, ministri, prefekturë a bashki) e duke përfunduar tek ai nxënësi i shkollës fillore në majë të Vermoshit. Ky, në fakt, mendoj se është realiteti kulturor më i ri, por dhe më banali, prandaj kemi një arsye të dytë këtu që gjithë këtë letërsi masive ta etiketojmë triviale, sepse kërkon me të gjitha forcat e me të gjitha mënyrat të invadojë në çdo qelizë të kulturës shqiptare, duke përcjellë mesazhe obskurantiste, anakronike, antiestetike, shpeshherë të neveritshme. Bashkëkohës të këtyre, shkrimtarë dhe poetë me një zë modest, por që kërkojnë hapësirën e tyre të afirmohen ose të tjerë me vlera tashmë të afirmuara, mezi botojnë librat e tyre përmes peripecish financiare dhe me tirazh të vogël, jo më tepër se dy-treqind kopje. Po ti kërkosh librat e tyre në ndonjë bibliotekë, lodhesh kot, si gjen në asnjë bibliotekë qyteti të Shqipërisë, përveçse në BKT, kurse libra ministrash, zv.ministrash e ish-ministrash, me përmbajtje patetiko-artistiko-etnologjike, zënë vend nëpër rafte bibliotekash e librarish gjithandej. Sipas të gjitha gjasave, në realitetin shqiptar mjafton të kesh para ose një post zyrtar, prej nga mund ta komandosh lexuesin dhe - prite, - bëhesh shkrimtar e poet kur të duash, pavarësisht nëse ke punuar për tridhjetë vjet me radhë, ta zëmë, naftëtar, agronom ose normist i NB-së dhe libri i fundit që ke lexuar është ai me titull (përafërsisht si ky) Qysh e theri ballisti pulën. Kjo na kujton një fenomen tjetër kulturor shqiptar, që për nevoja kryesisht të karakterit jetik, ka sjellë në sfondin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare njeriun pluridimensional, domethënë njeriun që mëton të jetë i kudogjendur dhe që mëton se di ti bëjë të gjitha, por që tashmë them se është bash koha që ta quajmë pa mëdyshje si njeriun pa personalitet intelektual.

4. Prej gjithë kësaj sëre të llomtë letraro-masive, edhe një herë kuptohet se letërsia e vërtetë nuk bëhet me fushata, siç pandehin vetë këta protagonistë të përkohshëm. Letërsia i kërkon haraçe jetës, ajo është një pohim i pandërprerë dhe në rritje i unit, që domethënë se ose je shkrimtar në jetë të

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›