Tokyo synon Olimpiadën 2020

Kryeqendra e Japonisë, Tokyo, do të kandidojë për organizimin e Olimpiadës Verore 2020 më shpresë se do t`i tregojë botës se mund të marrë veten dhe të organizojë lojëra të suksesshme, pas katastrofës natyrore të 11 marsit 2011. Japonia u godit rëndë nga tërmeti i fuqishëm e më pas edhe nga tsunami.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Japonisë, Tsunekazu Takeda, ka konfirmuar kandidaturën e Tokyos, të shtunën, në një ceremoni ku është festuar 100-vjetori i themelimit të Komitetit Olimpik të Japonisë. "Sot Japonia është duke e rimarrë veten nga tërmeti dhe tsunami dhe ne e duam Olimpiadën 2020 si simbol të rindërtimit", ka thënë Takeda.
Tokyo kishte humbur garën për organizimin e Olimpiadës 2016, nga qyteti brazilian Rio de Janeiro. Krerët e kryeqendrës së Japonisë nuk i humbën shpresat për organizimin e Olimpiadës 2020, ndonëse qyteti i Koresë së Jugut, Pyeongchang, mori organizimin e Olimpiadës Dimërore 2018.