E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bugajski: Serbia ka pranuar se Kosova ekziston

“Me marrëveshjet e arritura në dialog, Serbia nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, por thjesht ka treguar gatishmërinë e saj për të nisur zgjidhjen e çështjeve praktike në marrëdhëniet me Kosovën”.

Kështu vlerëson Janusz Bugajski, drejtor i projektit të demokracive të reja evropiane, në Qendrën Ndërkombëtare për Studime Strategjike. “Mendoj se marrëveshjet e arritura janë një fillim i mirë dhe tregojnë se dialogu ka sjellë disa rezultate, marrë parasysh se ka pasur shumë skeptikë, të cilët nuk kanë besuar se do të lëvizë ndonjë gjë.

Madje, ata kanë menduar se, për arsye të ndryshme, njëra ose tjetra palë do t’i bllokonte bisedimet”, shprehet ai. Opozita serbe ka akuzuar qeverinë se me arritjen e marrëveshjeve, Serbia de fakto e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Por, Bugajski ka një tjetër mendim. Sipas tij, Serbia, me anë të marrëveshjeve, ka pranuar se Kosova ekziston.

“Ajo nuk e ka pranuar shtetësinë e saj, e as subjektivitetin ndërkombëtar. Në arritjen e marrëveshjeve me Prishtinën, ka ndikuar edhe presioni i Bashkimit Evropian”, shprehet Bugajski.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›