E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tom Jones: Mos më quani më "Zoti seks-bombë"

"Këndoj që prej 40 vjetësh, por më duket se disa gazetarë më kujtojnë vetëm për kostumet e mia të zeza si ‘James Bond‘, këmishat e hapura deri te kërthiza dhe gjerdanët e floririt me kryq në qafë...". Kështu e fillon takimin, me një shpërthim polemik, këngëtari më potent i Uellsit, i cili nuk i duron dot personat që guxojnë ta thërrasin "Mr. sex bomb" (Zoti seks-bombë, titulli i këngës së tij më të famshme). Meqë gazetarët e kanë gjetur pikën e tij të dobët, nuk hezitojnë ta ngacmojnë, duke i bërë pyetje nga më të çuditshmet.

Pse keni probleme me atë këngë? Elton John nuk ofendohet nëse dikush e quan "Mr. candle in the wind" (Zot qiri në erë)?
Kam një karrierë, nuk jam një meteor që bie në tokë dhe më pas shuhem. Duke thënë këtë, problemi im, nëse mund të quhet kështu, ka qenë gjithmonë pamja e jashtme. Me xhaketë dhe kravatë më kanë vënë nofkën Frank Sinatra i Evropës. Me pantallonat me shkëlqim dhe këmisha të zbërthyera jam bërë imazhi i muzikës soul. Ndoshta duhet të kisha marrë një këshilltar për pamjen, por mendoja se zëri im ishte më i rëndësishëm se sa këto detaje. Takimi me Bonon në një diskotekë të Dublinit, e ndryshoi paksa mënyrën e të parit të gjërave.

Në ç‘kuptim?
Më "mbyti" me pyetje për rrobat e shëmtuara që vishja në vitet ‘70 dhe më tha se ishte i çmendur pas xhaketave të lëmuara. "Ti ke bërë shkollë, stili yt ishte seksi po aq sa edhe këngët e tua". Meqë ra fjala te këto të fundit, i thashë se nuk ndihesha mirë, sepse prej një viti nuk po këndoja këngë që ia vlejnë. Më la të shfryhesha, më pas më tha: "Je 68 vjeç, mund edhe t‘i shkruash vetë".

Dhe për të dhënë shembull të mirë, ai ju dhuroi një nga tekstet e veta për diskun tuaj të ri, i cili titullohet "24 hours"...
E ka kompozuar me kitaristin e "U2", "The Edge", duke menduar për mua, jetën dhe eksperiencat e mia. Vetëm se kur dëgjova titullin më ngriu gjaku dhe i thashë: "Duke menduar për mua, të erdhi ndërmend fjala ‘Sugar daddy‘? Duhet ta dish se unë jam ai këngëtar që i bëj dëgjuesit të zhvishen në skenë, kur janë në ekstazë". Ndërsa ai m‘u përgjigj: "Ti je i vetmi këngëtar i asaj kohe që mund të ndryshosh. Mos ki frikë të ndryshosh, sepse ke talent për këtë gjë".

Meqë ra fjala te ndryshimi, si ia keni bërë me bashkëshorten dhe fanset tuaja që prej 50 vjetësh janë dashuruar dhe ju ndjekin ngado?
Unë dhe gruaja jemi bashkëpunëtorë në gjithçka. Kur u martuam, isha 16 vjeç dhe nuk kisha ndërmend të bëja karrierë. Suksesi arriti kur isha 24 vjeç dhe në atë kohë ishim një çift shumë i bashkuar e i pjekur. Kjo nuk do të thotë se unë nuk kam qenë i lirë. E di ç‘më ndodhi një herë? Kur isha në Los Anxhelos nuk kisha para mjaftueshëm të paguaja hotelin dhe fatmirësisht një shoqja ime që gjendej aty më dha borxh. Kur u ktheva në shtëpi dhe i tregova sime shoqeje, ajo nuk u ndie keq, madje vuri buzën në gaz.

Është vërtetë që Elvis Presley mbeti i magjepsur nga muzika juaj dhe një herë iu lut një DJ të luante një këngë tuajën?
Mbreti i rokut ishte në autobus dhe po kthehej nga Kalifornia, ku sapo kishte përfunduar së xhiruari një film. Në gjysmë të rrugës ndaloi të pinte diçka në një bar dhe në atë çast radioja transmetoi një nga hitet e mia të para: "Green, green grass home". Si i çmendur, Presley urdhëroi një nga djemtë e stafit të tij t‘i telefononte DJ, duke i thënë se ishte një dëgjues i Memfis. Qëllimi i tij ishte që të dëgjonte këngët e mia me zë të lartë. DJ, për të mos e nevrikosur, i vuri këngën time 34 herë radhazi.

Ju e dinit gjendjen psikologjike te Presley-t dhe varësinë ndaj drogës e alkoolit?
Nuk e dija që ishte katandisur kaq keq. Kur vdiq, në 1977-ën, kam vuajtur shumë. Madje jam ndier në faj se përse nuk bëra më shumë për t‘i dhënë një ndihmë. Ajo periudhë ishte e tmerrshme edhe për mua.

Si ndiheshit kur publiku nuk iu duartrokiste?
Nuk mund ta përshkruaj. Spektatorët e mi ishin transformuar totalisht. Ndërsa këndoja balada me sy mbyllur, në radhën e parë dëgjoja zhurma dhe të bërtitura të çmendura, ku askush nuk ua vinte veshin këngëve të mia. Më pas, kur hapja sytë, shihja që këmbët e mia kishin shkelur mbi mbathje shumëngjyrëshe.

Çfarë ndienit?
Ndieja degradimin e një këngëtari që për pak po shndërrohej në një seks simbol. Momenti më i shëmtuar i asaj periudhe ishte një mëngjes në radion e Nju Jorkut. Pasi përfundoi intervista ime, e kishte radhën këngëtari Roger Daltrey, i cili më pa kur dola nga studioja e DJ dhe tha me zë të lartë: "Hiqini mbathjet nga studioja, sapo kaloi Tom Jones".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›