E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga kamikaze, në shpëtimtare jetësh

Obeida ishte në prag të martesës, kur shpërthimi i një predhe i mori jetën të fejuarit të saj. Nga dëshpërimi zgjodhi të bëhej kamikaze, por plani i dështoi. Në burg mposhti dhunën dhe tani punon si infermiere në spital

Dy sy të zinj e shumë shprehës, të zhytur në trishtim, që shkëlqejnë në një fytyrë të bukur të mbuluar nga perçja e uniformës së infermieres. Obeida Abd al-Rahman Mohammad Abu Aishi, 30 vjeçe, punon në katin e dytë të spitalit "Al-Ahli" të Hebronit, në repartin e infermierisë: sterilizon veglat, bën gati termometrat, përgatit kartelat klinike. Fëmijët që mjekon nuk e dinë se Obeida ishte një kamikaze e dështuar dhe se ishte dënuar 6 vjet në burgun izraelit për planifikimin e një atentati vetëvrasës. "Atëherë doja të vrisja njerëz", kujton ajo me gjysmë zëri. "Sot luftoj çdo ditë për të shpëtuar jetën e pacientëve të mi. Për mua nuk ka ndryshim, sepse luftoj për popullin palestinez. Por, ju betohem se nuk jam vrasëse".
Ishte 2002-shi, viti i vrasjes së Jeninit, i ripushtimit të qytetit të Cisjordanisë, rrethimi i Jaser Arafatit mes mureve të Mukatas. Obeida punonte si vullnetare në një ambulancë, në Ramallah, së bashku me Aliun, të fejuarin e saj, që gjatë një sulmi ishte goditur në kokë dhe kishte humbur njërin sy. "Vetëm sa e kisha provuar fustanin e nusërisë", tregon Obeida. "Pas katër ditësh do të bëhej dasma, por Aliu vdiq nga shpërthimi i një predhe. Në atë moment e gjithë bota m‘u përmbys. Ishte një dhimbje e papërshkrueshme".
Obeida, e tronditur nga tragjedia, vendosi të hakmerrej. Vëllai i saj ishte "shaid", një martir i rezistencës: më 21 janar të 2002-it hodhi veten në erë në një stacion autobusësh në Tel Aviv, ku humbën jetën 5 persona dhe u plagosën 15 të tjerë. Hakmarrja e saj sapo kishte filluar. Kur jetonte në Nablus me prindërit, Obeida, kontaktoi drejtuesit e Xhihadit islamik.
"Në fillim ata ishin kundër, nuk dëshironin femra kamikaze. Nuk donin një tjetër martir nga e njëjta familje. Por unë insistova dhe në fund ata më pranuan. Isha e vendosur që të veproja si im vëlla, të hidhesha në erë në të njëjtin vend ku kishte vdekur edhe ai". Fillova të stërvitesha fshehtas. Mësova të lëvizja me qetësi, duke veshur nën fustan brezin e mbushur me eksplozivë. "Xhepat e brendshëm të brezit i mbushja me eksploziv, ku gjithçka komandohej përmes një butoni. Pas pak muajsh u bëra një profesioniste. Në fund të shkurtit gjithçka ishte gati", kujton ajo. Obeida iu afrua postbllokut, të cilin duhej ta kalonte për të arritur në Tel Aviv. "Nuk kisha aspak frikë. Pas pak minutash do të takoja në parajsë burrin dhe vëllain tim", thotë ajo. Por duket se e gjithë puna i shkoi dëm: ushtarët arrestuan një vajzë palestineze dhe për këtë arsye ajo u detyrua të hiqte dorë dhe të kthehej mbrapsht. Operacioni u shty për më vonë. Gjithsesi, më 27 shkurt, kushëriri i saj u vetëflijua në një atentat pranë një postblloku në Modein. Rrethi i Obeidas u ngushtua: "Shin bet", shërbimi i brendshëm izraelit nuhati diçka mbi atentatin vetëvrasës të Obeidas dhe policia u vu në ndjekje të saj. Pas katër muajsh, më 2 korrik, militaristët rrethuan shtëpinë e saj në fshat Beit Wasan, ku Obeida fshihej së bashku me dy militantë të tjerë të Xhihadit. "Ishte mëngjes herët, kur vura re se shtëpia ishte rrethuar, më pas zgjova edhe dy shokët e mi. Ishim të armatosur, por vendosëm të mos qëllonim, sepse ishte te kotë. Izraelitët ishin të armatosur deri në dhëmbë". Para se ta arrestonin, Obeida u shkruan mbi mur një mesazh familjarëve: "Mos u trishtoni për mua, dashuria për vendin tim do të më ndihmojë ta duroj burgun".
Vitet në burg ishin të vështira. "Më thërrisnin ‘mukharribah‘ terroriste. Për tre vjet e gjysmë isha e izoluar, nuk më lejohej të takoja askënd. Kur arrija të merrja në dorë një gazetë, sytë më shkonin menjëherë te faqet e kronikës, sepse kisha frikë se mos u ndodhte gjë nënës dhe babait. Në gjashtë vjet burg, i kam takuar vetëm tri herë prindërit e mi. Prej tyre mësova se, pas arrestimit, shtëpia ishte shkatërruar nga buldozerët e ushtrisë".
Në burg Obeida ndryshoi. "Isha një vajzë e brishtë dhe naive", thotë ajo, "por atje u bëra një grua më e fortë. Kurrë nuk ua kam shfaqur ndjenjat e mia rojeve; nuk ua kam treguar asnjëherë dobësitë e mia, të burgosurave të tjera. Nëse nuk arrita të ndryshoj gjë për çështjen palestineze, të paktën fitova diçka për veten time". Obeida nuk beson më te sulmet vetëvrasëse. Nuk do ta bënte më atë rrugë drejt postbllokut izraelit që fati e ndaloi. Beteja e saj kundër pushtimit izraelit zhvillohet brenda reparteve të spitalit palestinez të Hebronit dhe në shoqatat e grave për paqen. Por plagët e shpirtit nuk i janë shëruar kurrë dhe buzëqeshja që i shndrin ndonjëherë në buzë, është e ftohtë. "Edhe pse kanë kaluar kaq vjet, vazhdoj të jem e dashuruar me Aliun", rrëfen ajo. Mbi varrin e tij, që e vizitoi sapo u lirua, ka shkruar një dedikim: "Më fal, tentova të vi te ti".
Më së fundi Obeida pranoi të martohej: një martesë me mblesëri, e trishtuar, sepse ajo nuk mund të lindë. "U martova për të bërë një fëmijë, por nuk po arrij të mbetem shtatzënë. Bashkëshorti im kërkon nga unë vetëm seks, gatim dhe të pastroj shtëpinë. Është njësoj si të gjithë burrat e Hebronit. Shpesh i them se jam shoqja e jetës, jo shërbëtorja. Jam e sigurt se Aliu do ta kishte kuptuar, ndërsa ky as që e vë ujin në zjarr".
Jashtë bie shi. Është një ditë e trishtë dimri dhe shikimi i Obeidas shkon përtej dritares së infermierisë, mes reve gri dhe një grupi fëmijësh që luajnë me top. "E di se nuk do të kem kurrë një jetë normale; e di se nuk do të jem kurrë një nënë, si të tjerat dhe për këtë më vjen keq, sepse nuk jam kafshë, por njeri: këtë do të dëshiroja t‘ua thosha izraelitëve. Mes kamikazëve ka gra si unë, studentë, sipërmarrës, njerëz të thjeshtë. Persona që pothuajse gjithmonë shtyhen nga veprimet ekstreme të depresionit për humbjen e një të dashuri, apo të afërmi. Mjaft prej nesh preferojnë më shumë vdekjen se sa poshtërimin e një jete pa të ardhme, pa atdhe dhe pa liri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›