E Diel, 1 Nëntor 2026

Tomori zhyt Pogradecin, Shkëmbi largon zv/trajnerët

Katër gola, njëri më i bukur se tjetri dhe shumë raste të shpërdoruara, bënë që Tomori të mundte dhe të parakalonte në renditje Pogradecin në ndeshjen e fundit të javës së 15-të të luajtur dje në Berat. I çuditshëm, por fakt mbetet që në mungesë të trajnerit Ylli Çekiçi, i dënuar nga Komisioni i Disiplinës, presidenti i Pogradecit, Artan Shkëmbi, u kap me  zëvendëstrajnerët duke u komunikuar shkarkimin. “Faji ishte i trajnerëve që nuk arritën të bënin ndërrimet e duhura në momentet e duhura. Për këtë do t’u komunikoj të dy zëvendëstrajnerëve shkarkimin nga detyra. Ndërsa Çekiçi përderisa nuk ishte në stol, nuk preket”, tha Shkëmbi pas përfundimit të ndeshjes. Ndërsa sulmuesi Endri Bakiu çeli në minutën e 35-të serinë e golave të beratasve, duke realizuar golin e tij të 8-të sezonal (po aq sa Gërxho i Apolonisë). Kapiteni Klodian Arbri, një minutë përpara përfundimit të pjesës së parë, dyfishoi rezultatin për Tomorin, ndërsa në minutën e 53-të, Sajmir Jahaj konvertoi në gol, penalltinë e fituar nga Isa Eminhazeri, duke shkurtuar diferencën në 2-1. Gjithsesi, ishte 32-vjeçari Klodian Arbri ai që rivendos qetësinë në kampin e trajnerit Eqerem Memushi, duke realizuar një dopietë në këtë takim dhe duke u ngjitur në kuotën e tre golave sezonalë. Mbrojtësi 20-vjeçar Alvaro Bishaj mbylli llogaritë e takimit, duke fiksuar shifrat 4-1 me golin e tij të parë sezonal.

Kategoria 1
Vlora e Butrinti i Sarandës u ndanë në barazim 1-1, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 18-të të Kategorisë së Parë. Edison Plepi shënoi për Vlorën në minutën e 32-të. Për Butrintin barazoi Andri Rugji në të 89-ën. Vlora humbi një penallti, si dhe goditi shtyllën. Me këtë barazim, Vlora u ngjit në kuotën e 16 pikëve (vendi i 15-të), ndërkohë që Butrinti shkoi 22 pikë, në vend të 8-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›