Luftëtari të nxjerrë mësimet e duhura nga Skrapari
Presidenti Bime
Numri 1 i ekipit gjirokastrit thekson se ndeshja e fundit duhej fituar, ndërkohë që kërkon 6 pikë në sfidat me Besëlidhjen dhe Kukësin
Luftëtari nuk është tronditur nga barazimi i javës së 18-të në Skrapar, edhe pse Lushnja dhe Kukësi janë afruar tashmë në 4 pikë diferencë. Gjirokastritët vazhdojnë të kryesojnë bindshëm, por, për nga mënyra si shkoi loja në ndeshjen e fundit, të gjithë shprehin mendimin se ato dy pikë nuk duhej të ishin lënë.
Luftëtari krijoi disa raste në fushën e Skrapari, madje edhe nga ato që quhen flagrante, por nuk mundi ta dërgonte topin në rrjetë qoftë edhe në një rast të vetëm. Ekipi ka nisur dje, nën drejtimin e trajnerit Dede, fushatën për ndeshjen e radhës, që është ajo me Besëlidhjen në Gjirokastër, ku deri tani ka vetëm fitore dhe natyrisht që synon ta pasurojë koleksionin. Për më tepër, ndaj lezhjanëve ka hak për të marrë, pasi i ka shkaktuar humbjen e parë këtë sezon.
Presidenti Bime Në gjykimin e presidentit të gjirokastritëve, njëkohësisht edhe kryebashkiakut të qytetit, Flamur Bimes, kualitetet e Luftëtarit duhej ta kishin zgjidhur edhe atë ndeshje, por, sipas tij, nuk ka asgjë për tu alarmuar. Ekipi ynë meritonte fitoren në Skrapar, sepse arriti të krijonte shumë raste për të shënuar, por nuk finalizoi asnjërin prej tyre.
Barazimi i fundit mund të konsiderohet një hap i gabuar, por nuk mund të themi se e kemi objektivin në rrezik. Luftëtari duhet të nxjerrë mësimet e duhura nga ndeshja e fundit, në mënyrë që të mos bëjë të njëjtat gabime në javët në vazhdim. Ekipi duhet të jetë më efikas në sulm dhe të tregojë mendësinë e fituesit në çdo ndeshje, duke nisur që nga kjo e radhës me Besëlidhjen.
Dihet që ne i kemi kualitetet që mund të bëjnë diferencën në çdo ndeshje. Presim në fushën tonë njëri pas tjetrit dy nga rivalët tanë kryesorë, Besëlidhjen dhe Kukësin, që patjetër duhet ti mundim në fushën tonë, theksoi mes të tjerash presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime.
