Ndalimi për vrasje, Apeli lë në burg Ilia Bashon
Gjykata e Apelit la në burg të akuzuarin për vrasje me dashje të bashkëshortes së tij Eleni Basho, Ilia Basho. Ky i fundit kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë burg pa afat dhënë nga Gjykata e Tiranës.
Ngjarje e ndodhur një muaj më parë në Shkozë të Tiranës, mori një kthesë të papritur pas disa dëshmive, duke bërë që i dyshuar kryesor për vrasjen e Eleni Bashos të ishte bashkëshorti i saj.
Çështja në ngarkim të Ilia Bashos në Apel u shqyrtua nga një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Edmond Goga.
Ilia Basho u arrestua më 21 shkurt, tri javë pasi bashkëshortja e tij u qëllua për vdekje me dy plumba nga një person i paidentifikuar. Më datë 02.02.2012, rreth orës 18:30, shtetasja Eleni Basho po shkonte në banesën e saj që ndodhet në lagjen Shkozë pranë ambienteve të firmës Sina Beton. Disa metra para se të mbërrinte në banesë, kësaj shtetaseje i ka dalë një person me armë zjarri, i cili i ka qëlluar dy herë. Si pasojë e këtyre të shtënave ka ngelur e vdekur shtetasja Eleni Basho.
Nga hetimet e kryera, deklarimet e personit në hetim dhe të personave që kanë dijeni për veprën penale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është shtetasi Ilia Basho, vepër penale kjo e cila dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim. Për këtë arsye është nxjerrë urdhri i ndalimit datë 21.02.2012 dhe është bërë ndalimi i tij. Urdhri i ndalimit është ekzekutuar me procesverbalin e datës 21.02.2012. Ai është person në hetim për kryerjen e veprës penale të vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim, thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës arrest me burg për Bashon.