E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlora nuk ia del as me Butrintin, vështirëson pozitat

Nga Vlora Elton Nika

Dy minuta para fundit Rugji ka barazuar golin e Plepit dhe kështu të dyja skuadrat kanë ndarë nga një pikë


Vlora Butrinti      1-1

Shënues: Plepi 32 / Rugji 88

Vlora: Sadikllari, Ahmeti, Myderizi, Gjondeda, Hoxha, Prifti, Azizaj, Dalipaj, Plepi, Cerova (Veshaj 67). Trajner: A.Haxhiraj.
Butrinti: Demi, Xhuvani, Xhibro, Alzeneli, Muçaj, Ngjela, Muço, Haxhiaj (Myrtaj 90), Rapa (Rugji 60), Papa, Nela. Trajner: M.Gurma.

Gjytarë: D.Jubnica, D.Salaj, S.Zeka (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Azizaj, Cerova,  Plepi, Xhibro

Vlora nuk arrin të fitojë as në fushën e saj dhe ndaj një kundërshtari jo shumë të fortë. Vlonjatëve u ka ikur fitorja nga duart dy minuta para fundit, kur Rugji ka barazuar golin e Plepit. Barazimi kënaq vetëm miqtë nga Saranda, pasi kanë marrë një pikë të rëndësishme në transfertë, kurse Vlora i komplikon së tepërmi pozitat e saj në tabelën e klasifikimit. 90-minutëshi i zhvilluar në stadiumin Flamurtari ka dhuruar emocione, por në fund nuk ka nxjerrë asnjë fitues.

Loja nis me ritëm të shpejtë nga të dyja skuadrat dhe rastin e parë e kanë miqtë nga Saranda, por gabojnë përballë portierit Sadikllari. Më pas është Vlora më kërkuese dhe i afrohet disa herë golit. Rezultati zhbllokohet në minutën e 32-të, pas një kundërsulmi të shpejtë. Prifti jep një top për Plepin brenda zonës dhe sulmuesi e kalon Vlorën në epërsi. Minutat e fundit të pjesës së parë janë të mira për vlonjatët, që humbasin rastin ideale për ta dyfishuar rezultatin.

Plepi rrëzohet në zonën e Butrintit dhe për gjyqtarin Jubica është 11-metërsh. Nga pika e bardhë gjuan Myderizi, por krejtësisht në mënyrë të pasaktë, duke e dërguar topin mbi tra. Edhe pjesa e dytë vazhdon me ritëm, pasi Butrinti kërkon ta barazojë rezultatin. Sarandiotët sulmojnë vazhdimisht, por e gjejnë të vëmendshëm portierin Sadikllari. Edhe Vlora sulmon, në kërkim të golit të dytë.

Prifti dhe Plepi kanë mundësi të mira për golin e sigurisë, por nuk arrijnë ta gjejnë. Kur pritej ndoshta një fitore e Vlorës, Butrinti barazon befasisht. Rrëmujë në zonën e Vlorës dhe aty përfiton Rugji, që gjuan saktë dhe 1-1. Nuk ka kohë dhe gjithçka mbyllet me këtë rezultat, që për Vlorën konsiderohet hap fals, sepse rrezikon qëndrimin në kategorinë e parë.

Trajnerët

Albert Haxhiaj, trajner i Vlorës: Mendoj se luajtëm një ndeshje të mirë dhe meritonim fitoren, sepse e kemi dominuar lojën. Kemi krijuar shumë dhe kemi shpërdoruar shumë para portës kundërshtare. Dihet që po nuk shënove do ta pësosh, kështu na ndodhi edhe ne.

Milto Gurma, trajner i Butrintit: Ky rezultat është mjaft i mirë për ne, pasi një pikë në transfertë ka vlerë të madhe. Në pjesën e parë Vlora bëri presion, kurse në pjesën e dytë loja jonë u ngrit dhe natyrisht që u shpërblye. Jam i kënaqur me barazimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›