Diktatori De Biazi, ja rregullat e reja
Kontrolle në dhoma lojtarëve, u ndryshon edhe ushqimin.
Shqiptarët kanë krijuar tashmë një ide në kokë për De Biazin dhe përgjithësisht ai u ka lënë përshtypjen e një njeriu karizmatik, energjik dhe shumë kërkues. Ndryshe nga paraardhësi i tij Kuzhe, tekniku italian është edhe më i hapur ndaj medias dhe ndaj opinionit sportiv, por gjithashtu edhe më i rreptë. Shumë më i rreptë madje. Mund të bëjë shaka me lojtarët, mund të buzëqeshë gjatë gjithë kohës në stërvitje apo në ambiente publike, por ua ka bërë me të qartë atyre se do të veprojnë gjithnjë sipas rregullave të tija, aq sa u ka përcaktuar edhe orarin e gjumit gjatë grumbullimeve, apo edhe ushqimin që do të konsumojnë një ditë para ndeshjes. Njerëz pranë trajnerit kanë pohuar për gazetën se De Biazi është shumë strikt në raport me lojtarët. Në grumbullimin e parë për ndeshjen me Gjeorgjinë, ai u kishte përgatitur edhe axhendën që duhej të ndiqnin gjatë ditëve që lojtarët do qëndronin mes tyre. Gjithçka ishte e sinkronizuar në mënyrë që të kishin pak kohë të lirë për çështje private dhe sa më shumë kohë me njëri-tjetrin. Ka shtuar në axhendë oraret e analizave dhe i zhvillon ndryshe ato, duke ua përsëritur vazhdimisht gabimet që kishin bërë dhe duke u shpjeguar me skema se çfarë duhet të bënin për t’i eliminuar ato. Kontrollo dhe beso! Në orën 22:00 të mbrëmjes, të gjithë në dhomat e tyre dhe mundësisht të flenë. Nëse nuk e bëjnë këtë? Atëherë është vetë trajneri që ushtron ndonjë kontroll rutinë në dhomat e lojtarëve. E ka bërë këtë në ndeshjen me Gjeorgjinë, teksa ka preferuar që të shkojë vetë dhe t’i shohë se çfarë ishin duke bërë. Po kaq e veçantë dhe disi “e hidhur” ishte edhe fakti që nuk ka dërguar asnjë nga shqiptarët e stafit të tij për të bërë kontroll (duke paramenduar se edhe mund të tregoheshin tolerantë për shkak të afrimitetit me lojtarët), por ka dërguar bashkëpunëtorët e tij italianë ose ka shkuar vetë. Mësohet se këtë e ka bërë çdo natë në orare të ndryshme. Gjithashtu nuk ka lejuar që të futej askush në katin e hotelit ku ishin akomoduar futbollistët, përveç pjesëtarëve të stafit teknik të komanduar nga vetë De Biazi. Italiani ka rrudhur buzët kur ka mësuar se çfarë ushqimi konsumonin futbollistët e përfaqësueses një ditë para ndeshjes. Për këtë, pasi është konsultuar edhe me miq të tij specialistë në Itali, ka kërkuar që të ndryshojë menyja për një ditë para ndeshjes. Burime bëjnë të ditur se ai ka rekomanduar ushqim pa yndyrë (mundësisht rizoto të thjeshta dhe makarona pa yndyrë fare), si dhe konsum sa më të lartë të sallatave.
Cana-Salihi, shqetësimet e ekipit
Kombëtares shqiptare i duhet shumë punë që të futet në shinat e duhura. Trajneri është i shqetësuar për gjendjen e disa futbollistëve. Kapiteni Lorik Cana sipas tij ka luajtur shumë pak këtë sezon, ndërsa Hamdi Salihi është shumë larg dhe i druhet faktit se në kohën kur Shqipëria mund të ketë dy apo tri ndeshje brenda një muaji (shtator dhe tetor), shkodrani mund të pësojë lodhje të mbingarkuar duke udhëtuar dy herë vajtje-ardhje Shqipëri-SHBA. Të paktën për këtë të fundit duket se “problemi” është i zgjidhur, përderisa momentalisht sulmuesit në formë nuk mungojnë, duke filluar që nga Çani e deri te Sadiku.
1 ndeshje zyrtare ka drejtuar Xhani de Biazi me Kombëtaren shqiptare, në miqësoren e 29 shkurtit në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë, ku Shqipëria humbi me rezultatin 2-1.
JETMIR HALILAJ