E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toni Bler: Ditaret sekrete për Kosovën

18/04/2011  Biografia që ka tronditur politikën e ish-kryeministrit anglez Toni Bler tashmë në shqip

“Një rrugëtim”, libri biografi i ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili ka vetëm disa muaj që ka dalë në Britaninë e Madhe tashmë mund të lexohet edhe në shqip. Ky rrëfim i Blerit sapo është hedhur në treg nën përkthimin e dy ish-diplomatëve Petraq Pojani dhe Eduart Sulo. Ky libër ka ngjallur debate deri në embargo në botimin e tij në Angli. Bler ka bërë një rrëfim mbi karrierën e tij politike në qeverisjen e Britanisë së Madhe. Libri përfshin vitet 1997 - 2007, mirëpo interesi i publikut shumë më tepër përqendrohet në lidhje me atë se çka zbulon Bleri rreth vendimit për t’iu bashkuar ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga amerikanët në Irak. Bleri thotë se nuk pendohet për vendimin që të shkohet në luftë kundër Irakut dhe se ai beson që largimi i Sadam Hyseinit e ka bërë atë vendim të vlefshëm. Megjithatë, ai thotë se asnjëherë nuk e ka paramenduar shpërthimin e dhunës sektariane, terrorin apo viktimat e shumta në popullatën civile dhe ushtri. Ai “ndjen jashtëzakonisht keqardhje” për viktimat, mirëpo kërkon nga lexuesit që më shumë të reflektojnë nëse vendimi i tij “ndoshta ishte i drejtë”. Në korrik të vitit 2003, ai mbajti fjalim në Kongresin Amerikan ku e mbrojti me pasion ndërhyrjen ushtarake në Irak. Të njëjtin pasion ai tani e shfaq kur flet për viktimat e këtij invazioni. “Nëse ne kemi të drejtë, diçka që e besoj me çdo qelizë të trupit dhe bindjen që në kemi të drejtë, dhe të mos veprojmë atëherë kjo i bie që ne kemi hezituar përballë këtij kërcënimi në kohën kur është dashur të tregojmë lidership. Kjo është diçka që historia nuk do ta falte”, kishte thënë Bler në vitin 2003 në Kongresin Amerikan.

Përderisa historia ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj, kundërshtarët e luftës dhe Blerit gjithmonë e shfaqin faktin se ata nuk e kanë falur atë. Kjo më së miri u tregua kur Bler u përball në Londër me një komitet hetues për luftën e Irakut në fillim të këtij viti. Thirrjet e protestuesve kundër tij bënin vetëm një thirrje: “Toni Bler – War Criminel” (Toni Bler – kriminel lufte) Mirëpo, lufta në Irak nuk është e vetmja temë, për të cilën Bler flet në librin e tij. Ai bën një gjykim të ashpër për trashëgimtarin e tij në pozitën e Kryeministrit britanik, Gordon Braun. Bler, kohën gjatë së cilës Braun ishte Kryeministër, e quan “katastrofale”, mirëpo e vlerëson pozitivisht atë kur është fjala për inteligjencën analitike. Ai flet edhe për vdekjen e Princeshës Diana, marrëdhëniet me Mbretëreshën Elizabeta. “Libri është cilësuar nga analistët si një thyerje e paprecedentë e protokollit mbretëror në historinë e Britanisë së Madhe, pasi në të janë publikuar biseda konfidenciale mes Bler dhe monarkes Elisabeth II. Bëhet fjalë për një bisedë mes Bler dhe Mbretëreshës Elisabeth, menjëherë pas funeralit të princeshës së Uellsit, Lady Diana. Është hera e parë që një ish-kryeministër bën publike detaje të tilla, të cilat janë cilësuar si thyerje e protokollit. Një vend të veçantë në libër zë dhe Kosova. Në gati një kapitull lexuesi do të njihet mbi konceptin britanik për Kosovën, dhe ndjesinë që ish-kryeministri dhe bashkëshortja e tij kishin për këtë vend. Bler nuk nguron të japë detaje dhe nga jeta e tij si marrëdhëniet me alkoolin. “Derisa besoja që e kontrolloja sasinë se sa pija, në të njëjtën kohë isha i vetëdijshëm se alkooli ishte bërë një lloj përkrahësi për mua”, thotë Bler për konsumimin e alkoolit. Ish-kryeministri britanik raportohet se ka marrë një avans prej 7 milionë dollarësh për botimin e librit, ndërsa fitimet që do të vijnë nga shitja do t’i jap si donacion për një organizatë që ndihmon veteranët e luftës në Britani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›