E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Propozove rivendosjen e vizave, veprim i ulët dhe racist

15/04/2011  Viktor Boshtinaru përplaset në PE me Kryetaren e Kuvendit

Nuk kanë kaluar pa përplasje deklaratat e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në seancën e 14 shkurtit, teksa akuzonte eurodeputetin rumun Viktor Boshtinaru për racist dhe antishqiptar. Dje, në konferencën dyditore për Ballkanin, të organizuar në Bruksel, ka qenë Boshtinaru ai që ka kërkuar nga ana e Kryetares së Kuvendit që ti kërkojë falje në lidhje me këto deklarata. Por nga ana e Kryetares Topalli ka marrë sërish të njëjtat akuza, pasi sipas saj, ka qenë Boshtinaru ai që ka lobuar kundër liberalizimit të vizave të shqiptarëve. “Deklarata e znj. Topalli është e pabazuar në fakte, prandaj dhe është e rëndë dhe e papranueshme. Dhe nuk më ofendon vetëm mua dhe dinjitetin tim, por edhe institucionet, vetë Parlamentin Evropian. Siç e dini, zoti president, Konferenca e Kryetarëve e diskutoi thellë këtë çështje rreth një muaj më parë. Unë jam gjithashtu i informuar se ju z. president nga pozita juaj më e lartë në krye të Parlamentit Evropian, u përpoqët disa herë, nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe atyre jodiplomatike ta bindni znj. Topalli të rrëzojë akuzat e saj. Unë nuk dua që ta kthejmë këtë temë në një debat, pasi do të ishte e padobishme, meqë sot jemi të fokusuar në një çështje shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian e për kontinentin tonë në tërësi”, tha Boshtinaru. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i zonjës Topalli, e pranishme në këtë mbledhje, e cila iu përgjigj se nuk bëhet fjalë vetëm për një debat mes saj dhe Boshtinarut, por për qëndrimet e eurodeputetit, kur bëhet fjalë për çështjen shqiptare. “Këtu nuk kemi të bëjmë me një incident Topalli-Boshtinari. Por ka një propozim të Boshtinarit për ti bllokuar shqiptarët, pa asnjë arsye, që të përfitojnë nga lëvizja e lirë, për tu imponuar atyre sërish Murin e Berlinit. Dhe në mes të 3.2 milionë shqiptarëve jam unë, Jozefina Topalli, që e konsiderova për të ardhur keq këtë propozim antishqiptar, racist, të ulët dhe të motivuar nga interesa të ulëta. Unë nënvizoj se një propozim i tillë, alla Çaushesku, është qartësisht i sponsorizuar nga qarqet antishqiptare. Ky është realiteti. Nëse çdokush ofendohet nga realiteti, atëherë falsiteti nuk i përket as realitetit, as 3.2 milionë shqiptarëve, dhe aq më pak Jozefina Topallit”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Akuza e Topallit

Në fakt, ka qenë seanca e 24 shkurtit dhe jo e 14 shkurtit, kur emri i Viktor Boshtinarut është përmendur nga ana e zonjës Topalli, gjatë një debati me deputetin e PS, Arben Ahmetaj. Topalli akuzon Ahmetajn se me para të vjedhura ka blerë Boshtinarun. “Me para të vjedhura nga Telekomi, përpara 2005-s, dhe një pjesë të këtyre parave i përdore, të detyroi zoti Rama, për të blerë dhe për të bërë lobing, një ndër të cilët ishte dhe Boshtinaru, racist, antishqiptar, i cili ska lënë gjë pa bërë në Parlamentin Evropian që të mos lejohej heqja e vizave. Ndaj fole sot këtu. Ti nuk lejon kurrë të të ikë imuniteti. Si do ti mbrosh ti 15 milionë euro? Prokuroria nuk ti hap dosjet, ajo ti mbyll dosjet. Ti, natyrisht, nuk pranon kurrë që të votosh për heqjen e imunitetit. Do të mbrosh 15 milionë eurot e tua të vjedhura. Ke pasur dosje në prokurori dhe shoqja e bulevardit, bashkë me shokët e tjerë, ta ka mbyllur. Prandaj nuk heq dorë nga imuniteti”, ka thënë Topalli

Lobimi i Viktor Boshtinarut, në dëm të liberalizimit të vizave

Viktor Boshtinaru, eurodeputet rumun, ka dhënë jo pak deklarata, të cilat mund të dëmtonin seriozisht procesin e liberalizimit të vizave, në dhjetor të vitit të kaluar. Mjaft të kujtojmë debatin e datës 6 tetor me eurodeputeten çeke Fajon, kur e cilësonte Shqipërinë si vend të korruptuar, që ka destabilitet politik dhe që nuk e meriton liberalizimin e vizave. Kësisoj, ai iu bashkua dy zërave të deputetëve të tjerë, njëri holandez dhe tjetri belg, të cilët do shpreheshin se në rast se Shqipërisë i jepet e drejta për liberalizimin e vizave, atëherë do të thotë se dhe krimi do të hyjë në Evropë. Një deklaratë kjo, e cila po bëhej pikërisht në çastin kur për Shqipërinë po merrej vendimi final për rrëzimin e mureve të vizave. Ndërkohë Boshtinaru ka kërkuar dhe pas 21 janarit rivendosjen e vizave me Shqipërinë, ose më saktë ngrirjen e këtij regjimi deri në një moment të dytë, kur shqiptarët skishin më shumë se një muaj që i kishin përfituar ato, dhe nuk i kanë shkaktuar asnjë problem “Shengenit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›