E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e mundi Ramën më 2009, tani radha e Bashës

18/04/2011  Topalli në Shkodër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar dje nga Shkodra se Lulzim Basha është kandidatura fituese e përballjes me Edi Ramën. Këto deklarata Kryetarja e Kuvendit i bëri gjatë një takimi të zhvilluar me simpatizantë të mazhorancës në Gur të Zi, Postribë dhe Rrethina. Topalli në fjalën e saj preferoi të bënte një krahasim me zgjedhjet e 2009-s, ku sipas saj ishte Berisha ai që mundi Ramën, tashmë në zgjedhjet për kreun e Bashkisë do jetë Basha ai që do e ripërsërisë këtë firore. “Jam këtu për t’i kërkuar çdo të njohuri, çdo miku, çdo banori për të votuar për projektet, programin, platformën, zhvillimin nga qeverisja vendore aty ku ju jetoni, ku ndërtoni të ardhmen tuaj. Ne jemi ata që kemi bërë zgjedhjet e 2009-s. Këto zgjedhje ishin politike, më 2009-n Sali Berisha mundi Edi Ramën. Unë jam e sigurt se Lulzim Basha do ta mund në Tiranë Edi Ramën. Zgjedhjet lokale do të bëjnë të mundur që projektin tonë, ambicien tonë, qëllimin tonë për një Shqipëri të zhvilluar në vitin 2017 ta bëjmë të mundur përmes një kooperimi midis qeverisjes lokale, administrative dhe qeverisjes qendrore me kryeministrin Berisha”, - tha Topalli. Më tej kryetarja e kuvendit, duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, u shpreh se në këto zgjedhje qëndron përballë njeriu që përveç dhunës nuk ofron asnjë zgjidhje. “Më 8 maj, që janë zgjedhje lokale, administrative, zgjedhje në të cilat kemi përballë një person që përveç dhunës nuk ofron asgjë tjetër, përveç konfliktit nuk ofron asgjë tjetër, përveç urrejtjes nuk ofron asgjë tjetër, ne t’i vendosim përballë fushatën pozitive, ne t’i vendosim përballë ofertën e projekteve konkrete, investimeve dhe financimeve konkrete”, - tha Kryetarja e Kuvendit. Topalli ftoi të gjithë qytetarët që më 8 maj të votojnë për projektet e tyre, për platformën që garanton zhvillim dhe një të ardhme më të mirë për fshatin, komunën apo bashkinë ku ata ndërtojnë jetën e tyre. Ajo theksoi se në një bashkëpunim të ngushtë midis qeverisjes lokale dhe asaj qendrore do të realizohet dhe projekti ambicioz për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar në vitin 2017.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›