E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tony Blair: për politikat e mia më duhej programi i Frost-it

Më duhej të gjeja paratë që të bëja reformat dhe para së gjithash duhet të gjeja edhe njerëzit e duhur të cilët besonin gjithashtu. Të parat, pra paratë, i gjeta në një formë disi jokonvecionale. Isha i detyruar që me fillimin e vitit të ri të dilja në programin e Frost-it. David Frost ishte peshë e rëndë në media dhe mbetej intervistuesi më i mirë në të gjitha televizionet. Ishte shumë më i mirë sesa ata që e sulmonin pse nuk ishte mjaftueshëm ngacmues. Ai nuk ishte i pasjellshëm apo agresiv, por kishte një talent të jashtëzakonshëm për ta bërë për vete personin që i intervistonte dhe i udhëhiqte ata, duke i joshur në rrëfime të pazakonta në një farë mënyre u ngrinte një kurth, ashtu me ton të shtruar, bashkëbisedues, dhe arrinte të dilte në titujt e lajmeve kryesore. Ne disa raste, Alistair Campbell më qortonte: Pse dreqin e the atë?-Çfarë? Dhe ai ma shpjegonte se çfarë, ndërsa unë i thoja: -Oh... Gjithashtu David kishte konceptin revolucionar se audienca dëshiron të dëgjojë personin që po pyetet dhe jo atë që pyet. Falë kësaj merite ai bënte të ftuarit e tij të flisnin më shumë nga c'kishin dëshirë të thonin dhe të flisnin për një gamë cështjesh të ndryshme. Gjithmonë në përfundim të intervistave me Frost rezultonte që edicionet e lajmeve do të kishin nxjerrë 4 ose 5 lajme me interes për publikun. Dhe sigurisht duke qenë insistues, por jo agresiv, Frost ua bënte të vështirë psikologjikisht intervistuesve shmangien nga përgjigja e drejtpërdrejtë që duhet të jepnin.

*Pjesë e shkëputur nga autobiografia 'A journey' ('Një udhëtim') e Tony Blair.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›