E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Franca, ndeshja ime e madhe, ndaj nuk dua ‘humbje minimale’

SHKRUAN: Jeton Selimi 02-09-2011 10:47

Kroati Josip Kuzhe zë vendin e tij mes dy lojtarëve që e shoqëruan në konferencën e djeshme për shtyp, Altin Lalës dhe Lorik Canës. Trajneri kuqezi është i bindur se çfarë e pret nesët në “Qemal Stafa”, kur në orën 21:00 Franca do të nisë të vrapojë për të bërë atë që ka bërë gjithnjë kundër Shqipërisë, të marrë fitoren. Sidoqoftë, termi humbje minimale apo humbje dinjitoze, nuk zë vend në fjalorin e tij për këto 90 minuta. Spostimi i Currit në mesfushë dhe Skela në të djathtë i mbështetur nga Dallku, për Kuzhen mund të jenë dy nga pikat e forta të lojës së Shqipërisë mbrëmjen e sotme. Megjithatë, vetë kroati sqaroi gjithçka në konferencën e djeshme:

Mister, cili prej Bulkut apo Lalës do të jetë titullar?

Po, e mendoj këtë. Ka disa veçori për të cilat duhet të vendosim se cili do të luajë, mbi të gjitha sepse kemi përpara dy ndeshje, duke mos harruar sfidën në Luksemburg. Me Lalën në fushë kemi inteligjencë, organizim, kualitet, lojë inteligjente dhe në shërbim të skuadrës në mesfushë. Ndërkohë, me Bulkun skuadra fiton lojë kompakte, duele, soliditet, më tepër vrapime dhe lojë fizike e agresive.

Cilin do të zgjidhni prejt tyre?

Personalisht më pëlqen loja e Lalës, por luajmë me Francën dhe na nevojitet lojë me vrapime dhe fizike, e për këtë arsye kam ende disa pikëpyetje.

A është Franca ndeshja më e madhe e Kuzhesë?

Nuk e kam menduar ndonjëherë këtë. Megjithatë, mund të them se Franca do të jetë ndeshja ime më e madhe, që prej emërimit në stolin e kombëtares shqiptare.

Situata për kualifikimin është e hapur, megjithatë duhet të mendojmë 180 minuta, pra për ndeshjen me Francën dhe Luksemburgun.

Me Francën do të luajmë për gjithçka, apo do të bëjmë llogari?

Për mua, nuk është e rëndësishme të bëj llogari përsa u takon kartonëve. Por, mendoj për aftësitë fizike të disa lojtarëve dhe nëse janë gati të luajnë 180 minuta. Pra, duhet të mendoj edhe për ndeshjen e ardhshme, për energjinë e disa lojtarëve. Megjithatë, për momentin e kam mendjen vetëm te Franca.

Skela do të luajë në të djathtë bashkë me Dallkun. A i trembeni kondicioit të tij fizik, duke qenë se në atë krah luajnë Evra dhe Riberi?

Natyrisht që jemi disi të shqetësuar te gjendja e Skelës. Dallkut i besoj 100 për qind në luftën një kundër një, megjithatë, ndonjëherë kundër lojtarëve të shkëlqyer duhet të mbrojmë dy kundër një. Duhet të krijojmë situata për të mbrojtur dhe për të dubluar. Me pozicionin e Skelës, ai do ta ndihmojë Dallkun në duelet me Riberin, por njëkohësisht ai duhet të mendojë edhe për përballjen me Evran. Momentalisht i besoj gjendjes së Skelës, por duhet të shohim gjatë lojës sesi ai do të paraqitet. Megjithatë, ekziston një parim: forca fizike mund të kompensohet me substancën në fushën e lojës. Pra kjo mund të jetë diçka e favorshme.

Flasim gjithnjë për sulmin e Francës, por mos harrojmë se ata kanë mungesa në mbrojtje..

Gjithmonë flas me skuadrën për konceptin dhe strategjinë e lojës: të jemi ofensivë dhe të rrezikojmë paksa në mbrojtje, apo të mbrojmë mirë dhe të kundërsulmojmë. Ndoshta nuk mund ta kontrollojmë lojën në 100 për qind, pasi duhet të kemi parasysh që Franca do të ketë më shumë kontroll të topit dhe do të sulmojë. Megjithatë, synimi ynë është që të mos luajmë vetëm në mbrojtje, por edhe të sulmojmë, në taktikën tonë duam të praktikojmë futboll sulmues. Mendoj se Franca nuk e ka problem që i mungojnë Mekses apo Rami, pasi po flasim për një skuadër që ka shumë lojtarë të mëdhenj dhe nuk i shoh mungesat e tyre si problem të mëdha për blutë.

Përse këmbëngulni te Curri në mesfushë?

Sepse ai është një lojtar agresiv, që punon individualisht në fazën mbrojtje, duke mbuluar, me duele dhe duke u hequr topin kundërshtarëve, si edhe është i fortë në lojën në ajër, duke rrezikuar edhe në zonën kundërshtare. Curri gjithashtu është i vlefshëm në organizimin e lojës dhe të lidhë mesfushën. Për mendimin tim, me aftësitë e tij, Curri mund të jetë një lojtar shumë i vlefshëm në mesfushë. E aktivizoj aty, pasi kam edhe Teli në mbrojtje dhe dua që të dy këta lojtarë të jenë në fushë.

Alternativa e vetme në mbrotje është Veliu…

Kemi mundësi që ta kompensojmë këtë, pasi Curri dhe Agolli mund të luajnë në mbrojtje dhe nuk mendoj që do të kemi probleme.

Trajnerët thonë gjithmonë se nuk bëjnë llogari, po në rastin tonë duhen bërë llogaritë me kartonët.

Nëse do të bëja llogari kundër Francës, ju gazetarët (e thotë në shqip) të parët do të më vrisnit dhe do të thoshit si guxon ta bësh këtë. Unë si trajner nuk bëj të llogari, dua të fitoj apo të marr rezultat pozitiv dhe vetëm më pas do të mendoj për Luksemburgun.

Mister, Shqipëria nuk humbet prej 4 ndeshjesh zyrtare në Tiranë. A mund të vazhdojë ecuria pozitive?

Po, po…!

Cili rezultat do të ishte i pranueshëm? Ndoshta një humbje 1-0?

Jo, mua më pëlqejnë rezultatet positive. Nuk mund të them që do të kënaqesha me një humbje minimale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›