Pëson infarkt në zemër, vdes i dënuari 47-vjeçar
Pëson infarkt në zemër, vdes i dënuari në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Ngjarja ka ndodhur dje paradite dhe sipas burimeve nga institucioni, 47-vjeçari Xhemali Islami, i dënuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, ka vdekur në qelinë ku vuante dënimin. Mësohet se menjëherë në vendin e ngjarjes janë ndodhur mjekë të burgut, si edhe ekspertë të qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, vdekja është shkaktuar nga ataku kardiak. 47-vjeçari Xhemali Islami, me banim në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit, është dënuar me 6 vjet e gjysmë heqje lirie, pasi rreth dy vjet më parë gjatë një sherri për pronat, ai ka qëlluar me çifte, drejt nënës, vëllait dhe kunatës, duke i plagosur rëndë ata. Ngjarja ka ndodhur në datën 3 qershor të vitit 2006. Gjykata e Faktit të Elbasanit e ka dënuar Islamin me 6.5 vjet burg, edhe pse familjarët kërkuan faljen e tij. Ndërkaq vdekja e të dënuarit është cilësuar si natyrale, ndërkohë që burime të policisë sqarojnë se hetimet do të vazhdojnë për këtë çështje.
#