Top 10 blerjet që dhezën

Premierliga ka yje të kalibrit Wayne Rooney, Didier Drogba, Steven Gerrard apo Frank Lampard. Por, kampionatit anglez gjatë verës që shkoi i janë shtuar yje të tjera të futbollit botëror.
Ueb faqja goal.com e ka publikuar listën e 10 transfereve më të qëlluara në Premierligë. Natyrisht, kjo listë kryesisht përbëhet nga klubet më të mëdha të këtij vendi, si: Liverpool, Manchester United, Chelsea, Arsenal, Manchester City, por edhe Tottenham.
Pozita e parë me plot meritë i takon sulmuesit Javier Hernandez, i cili nga 38 paraqitje realizoi 18 gola në debitimin e tij në Angli. Për të, Manchester United ia pagoi ish skuadrës së tij Guadalajara 9 milionë euro.
Vendi i dytë është rezervuar për Rafael van der Vaart, i cili u përshtat për mrekulli në futbollin anglez. Mesfushori holandez ka shënuar 12 gola nga 30 paraqitje, duke e ndihmuar Tottenhamin që të bëhet një skuadër serioze. Londinezët shpenzuan 9 milionë euro për ish futbollistin e Realit të Madridit
I treti ishte William Gallas, të cilin Tottenham e mori si lojtar të lirë. Veterani francez ishte shtyllë e mbrojtjes së këtij ekipi në 31 paraqitjet sa pati deri tash. Kurse vendi i katërt i takon David Luizit, i cili e përforcoi Chelsean në janar.
Edhe pse arriti vonë në Angli, ai e vërtetoi se bëhet fjalë për një lojtar të pjekur dhe se, përpos sigurisë në mbrojtje, di të shënojë edhe gola. Blues ia paguan 24 milionë euro Benficas për shërbimet e tij. Ndërkaq, përforcimi i madh i Liverpoolit, Luis Suarez renditet i gjashti, prapa Chris Smalling, nga Manchester United.
Top 10 transferet e Premierligës:
10. Peter Odemwingie (Lokomotiv Moscow – WBA)
9. Cheik Tiote (FC Twente – Newcastle)
8. David Silva (Valencia – Manchester City)
7. Raul Meireles (Porto – Liverpool)
6. Luis Suarez (Ajax – Liverpool)
5. Chris Smalling (Fulham – Manchester United)
4. David Luiz (Benfica – Chelsea)
3. William Gallas (Lojtar i lirë – Tottenham)
2. Rafael Van der Vaart (Real Madrid – Tottenham)
1. Javier Hernandez (Guadalajara – Manchester United)