E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk vazhdon me Schalken

Nga Express më 21 prill 2011 në ora 09:18

Manuel Neuer ka treguar se nuk e ka ndërmend ta vazhdojë kontratën me Schalke 04. Kontrata aktuale e përfaqësuesit gjerman me gjysmëfinalistin e Ligës së Kampionëve skadon në verën e vitit 2012 dhe klubi gjerman shpresonte ta vazhdojë bashkëpunimin.

Mirëpo, refuzimi i kontratës së re nënkupton se 25 vjeçari duket se e ka ndërmend të lëvizë drejt Bayern Munichut. “U kam thënë drejtuesve të Schalkes se nuk dëshiroj ta nënshkruaj kontratën e re. Kam ardhur deri te ky vendim pa ndikimin e askujt tjetër. Të gjitha spekulimet që qarkullojnë nuk kanë kurrfarë baze”, theksoi Neuer për ueb faqen zyrtare të klubit.

“Vendimi nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, as me arritjen e trajnerit të ri ose me ndonjë klub tjetër. Jam falënderues ndaj Schalkes dhe adhuruesve të saj, por dëshiroj t’i lë të hapura mundësitë, pas 20 vjetësh të kaluara në këtë klub. Momentalisht dëshiroj të fokusohem në arritjen e objektivave të klubit këtë sezon”, vazhdoi portieri gjerman.

Neuer konsiderohet si njëri prej portierëve më të mirë gjermanë në qarkullim. S’ka dyshim se e ardhmja e tij mund të jetë e lidhur me ‘Allianz Arenan’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›