E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top-Channel bën 10 vjeç, në festë Rama e Nano, mungon Berisha

Top-Channel feston 10-vjetorin në një mbrëmje gala të organizuar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Mbrëmja e organizuar si festë, po aq sa edhe si kujtim për 10 vitet e historisë së televizionit, nisi nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, moto kjo e përmendur me fjalë të tjera nga disa figura të njohura të këtij ekrani. Gazetarë, politikanë të së majtës, e pak të së djathtës, si dhe bashkëpunëtorë të medias, janë mbledhur bashkë për 10-vjetorin e televizionit, që, sipas drejtorit të Përgjithshëm, Enkelejd Joti, është i hapur për të gjithë. Të pranishëm kanë qenë lideri i opozitës, Edi Rama , presidenti Bamir Topi e ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano; ish-presidenti Alfred Moisiu; apo deputeti Ben Blushi; ndërsa nuk kanë kaluar pa u vënë re mungesat e kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Topalli apo presidentit Topi. Të vetmit përfaqësues nga e djathta ishin deputetët Enkelejd Alibeaj e Mesila Doda, si dhe kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu. Në fjalën e tij drejtori i Përgjithshëm, Joti, tha se Top-Channel ka 550 punonjës me një moshë mesatare 22-vjeç, ndërsa shtoi se pasioni, puna krijuese dhe liria e themeluesit Dritan Hoxha ka mbetur karakteristikë e Top-Channel. Shoqëruar gjatë gjithë mbrëmjes me kolonat zanore të këngëve të fundvitit, në festën e Top-Channel nuk munguan shakatë me politikën të drejtuesit të “Fiks Fare”, Filip Çakuli, apo përshëndetja e gazetares Rudina Xhunga. “Topi është i lirë, se lindi i tillë”, - tha Çakuli, duke mos i kursyer ironitë me kryeministrin Berisha, kur pohoi se do të jetë në Top-Channel edhe në vitin 2013 e më tej. Ndërsa gazetarja e njohur Rudina Xhunga e vuri theksin te misioni i këtij televizioni për t’i shërbyer shtetit, jo pushtetit. “Ne na dallon fjalia: E kam parë te topi”, - tha Xhunga në këtë mbrëmje për 10-vjetorin e Top-Channel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›